E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentativë vrasje me çifte pas sherrit për parkimin

 

TIRANE - Sherri për vendin e parkimit të makinës, përfundon me një person të plagosur dhe një të arrestuar. Genci Bollozhani, 20 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë ndërsa policia ka arrestuar menjëherë autorin e dyshuar të ngjarjes, Fatmir Doçi. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Policia e Komisariatit Nr.2 është njoftuar nga disa dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se një grup efektivësh nga Komisariati Nr.2 dhe nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar menjëherë në vendin ku ndodhi plagosja, duke mundur të arrestojnë brenda pak minutash të dyshuarin si autor të ngjarjes. Ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, pasi gjendja e tij shëndetësore paraqiste rrezik për jetën. Sipas mjekëve, Genci Bollozhani, ka marrë disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit, duke qenë se ishte qëlluar me armë gjahu dhe saçmet i ishin shpërndarë pothuajse në të gjithë trupin, duke i shkaktuar plagë të rënda. Burime nga polica thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, pasi viktima, Bollozhani, ka qenë duke parkuar automjetin e tij, në një rrugicë pranë banesës së Fatmir Doçit. Ky i fundit sipas policisë, kur ka parë 20-vjeçarin që ka mbyllur makinën dhe ka qenë duke u larguar, i është afruar dhe me ton të lartë i ka kërkuar ta lëvizte makinë nga aty, pasi ishte prona e tij dhe se në atë vend parkonte makinën e vet. Mësohet se Genci Bollozhani, i ka kërkuar që ta linte makinën aty për disa minuta, pasi do të kthehej shpejt sapo të mbaronte një punë. Por edhe pse i ka kërkuar këtë nder, nuk ka arritur që të bie dakord me Doçin, i cili pas fyerjeve dhe kërcënimeve ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë çiften që mbante me leje. Fillimisht mësohet se ia ka drejtuar armën për ta trembur, por duke qenë se 20-vjeçari ka kundërshtuar, “pronari” nuk ka nguruar që ta shkrepë armën e gjahut, duke e lënë të plagosur rëndë. Vetëm disa minuta më pas ai është arrestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›