E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bajroni rishfaqet ne dekor shqiptar

"Vila Diodati", nje opera e shfaqur si premiere boterore ne Nju Jork (SHBA), ne javen e pare te tetorit, ka patur si protagonist-krijues edhe nje here tjeter artistin shqiptar Andis Gjoni, i cili materializoi ne skene krijimin e kompozitores amerikane Mira J. Spekter dhe poetes Colette Inez. Ka qene skenografi Andis Gjoni, i cili ka realizuar me sukses disa skenografi ne SHBA, ai qe ka ndertuar skenat e "Vila Diodati", pjesemarrese ne seleksionimin zyrtar te Festivalit te Muzikaleve te Nju Jorkut 2008. Ndoshta ka qene nje rastesi qe nje shqiptar t'i jape jete nje vepre ku i "pranishem" ka qene Lordi i njohur anglez Bajron, ai qe dy shekuj me pare diti aq bukur te shkruaje per Shqiperine nje veper, te ciles jo pak vete i referohen dhe sot.

Ne fakt ne kete opera e kaluara dhe e tashmja nderthuren me personazhet e shkrimtareve Meri Shelli, Lord Bajroni dhe poetit tjeter te shquar Persi Shelli. Spektakli ringjall tek shikuesit nje perralle goditese, te mbushur me demone, obsesione dhe art. Shfaqja e trajtuar si nje enderr ve perballe spektatorit, kengetaret/aktore, te cilet duke levizur mes objekteve arrijne te zbulojne karakteret e tyre.

Gjithcka nis kur nje cift amerikanesh vizitojne vilen Diodati, e njejta vile ku u krijua dhe shkrua libri i famshem "Frankenshtajn". Ketu ze fill dhe aventura e kesaj vepre, sepse pikerisht ne veren e vitit 1816, kur Bajroni u largua nga Anglia, ai u vendos ne vilen "Diodati" prane liqenit te Gjeneves. Aty ai zuri miqesi me poetin Persi Bis'shi Shelli dhe me gruan e ardhshme te ketij te fundit, Meri Goduin (Shelli). Atyre iu bashkua dhe thjeshtra, (motra prej babai e Merit), Kler Klermont, me te cilen Bajroni kishte pasur marredhenie ne Londer, dhe qe ketu rilindi dashuria, duke sjelle ne jete dhe nje vajze, ne janar te 1817.

Te mbetur mes mureve te viles, nga nje shi qe nuk pushon per dite me radhe, poetet fantazojne mes tyre, diskutojne ide artistike, te cilat me vone do te materializohen ne libra si "Frankenshtajni", shkruar nga Meri Shelli. Ndersa Bajroni vete u frymezua te shkruante ketu kengen e trete te Cajlld Haroldit. Te mbeshtjelle nga nje atmosfere sensuale, e theksuar nga trajtimi i dekoreve, aktoret levizin ne nje sfond te madh te pikturuar qe arrin te transmetoje natyrshem tek gjithkush qe e sheh, ndjenjat e poeteve romantike.

Aktoret, me interpretimin e tyre japin ndjesi qe te fiksohen per kohe ne mendje. Ne raste te caktuara, si motivuese e gjithckaje, eshte nje turiste amerikane, e cila e "sheh" ngjarjen dhe e tregon si te ishte nje deshmitare okulare. Por ajo qe te bie ne sy kur sheh kete shfaqje eshte perzgjedhja e objekteve skenike te periudhes se shek. XIX, te selektuara me vemendjen me te madhe nga skenografi shqiptar, duke dhene ne menyre te natyrshme atmosferen e kohes. Pike referimi per shume spektatore amerikane ne kete shfaqje ishte dhe sfondi i madh i pikturuar nga Andis Gjoni, ne frymen e tablove te piktorit anglez te shek. XIX, Terner. Endrra dhe surrealja nderthureshin ne konceptin skenografik, duke krijuar kesisoj nje atmosfere te pershtatshme dhe duke impresionuar shikuesin me elemente stilistike te goditur. "U mundova te realizoj nje nderthurje mes hapesires surreale te maleve zvicerane dhe aktoreve", tha per Atsh-ne skenografi Andis Gjoni, duke shtuar se "me sfondin e pikturuar me ngjyra mistike arrita ta zgjeroj skenen, i dhashe frymemarrje, por njekohesisht e trajtova me tone shume sensuale, duke theksuar frymen e dashurise qe e pershkon gjithe vepren".

Vleresimet e kritikes

Kritikja Mollie Eisenberg, duke vleresuar shfaqjen ne teresi, e konsideroi ate nje arritje. "Shkrirja e se kaluares me te tashmen jane realizuar ne nje menyre misterioze por te kenaqshme. Skena te ndertuara me mencuri qe paralelizojne Frankenshtainin dhe i lidhin personazhet dhe krijuesit me te tashmen, na ofrojne shansin te kalojme ca ore me disa personazhe mahnites (vecanerisht Bajroni, i luajtur me mjeshteri nga Majk Kampbell)", u shpreh ajo.

Gjoni, dashuria per skenen shqiptare

Megjithese jeton prej vitesh ne SHBA, Andis Gjoni ka qene aktiv edhe ne skenen shqiptare. Ne muajin tetor te vitit te kaluar ishte ne Tirane ku realizoi skenografine e muzikalit me fame boterore "Kiss me Kate", nje bashkepunim shqiptaro-amerikan, ku regjisori dhe dirigjenti ishin amerikane E sjelle ne shqip nga Andis Gjoni, i cili realizoi jo vetem skenografine, por dhe kostumografine e kesaj vepre, ajo pati nje sukses absolut ne skenen e Teatrit Kombetar te Operes dhe Baletit ne Tirane, drejtuar virtualisht nga dirigjenti amerikan Thomas Carlo Bo, drejtor artistik i Garden State Music Festival, dhe regjisorja e njohur amerikane Nansy Rhodes. Ndersa ne vitin 2004 Andis Gjoni realizoi ne Tirane skenografine e premieres boterore "Eest Side Story" (Histori e Anes Perendimore) dhe ky nje bashkepunim shqiptaro-amerikan i suksesshem, qe shenoi dhe prezantimin per here te pare te nje musicali amerikan ne Shqiperi.

Kur jetonte ne Shqiperi ai ishte prezantuar me sukses ne fushen e skenografise se teatrit, e cilesuar si nje skenografi moderne, qe solli nje fryme te re ne skenografine shqiptare te pas viteve '90. Permenden skenografia e "Zonjushes Zhuli" e Strintbergut, e "Ylli pa emer" e Mihai Sebastian, "Jashte bie bore " e Vincenso Sallemme. Karriera e tij artistike, vec skenografise, dallohet edhe ne zhanrin e piktures, e cilesuar nga kritika si nje pikture qe mbeshtetet ne mitet dhe legjendat shqiptare apo edhe ballkanike, ndertuar mbi nje stil abstrakt, ku dallohen qarte elemente te surrealizmit. Ato trajtohen permes nje mendim te perceptuar qarte nga Gjoni, i cili abstragon me origjinalitet per te dhene perjetimet e tij si artist. Piktura e tij ka qene e pranishme ne nje sere ekspozitash kombetare dhe nderkombetare si "Onufri 2002", "Onufri 1997". Ai ishte pjesemarresi i vetem nga Shqiperia ne konkursin nderkombetar per Memorialin e 11 Shtatorit ne Nju Jork (2003).

Mori veprash edhe jashte vendit

Nuk eshte hera e pare qe skenografi shqiptar Andis Gjoni merr pjese ne Festivale teatrosh qe organizohen ne SHBA. Ne muajin gusht, ne Festivalin Nderkombetar Teatror te Mesqytetit, organizuar ne Nju Jork, ai u prezantua me skenografine e komedise"The Higher Education of Khalid Amir" ("Edukimi me i larte i Khalid Amirit"), shkruar nga komediografia Monica Bauer. Pak muaj me pare ai ishte pjesemarres ne Festivalin Nderkombetar te Teatrit Fringe midis qindra artisteve nga e gjithe bota, ku u paraqit me skenat e komedise "PB&J". Gjoni ka realizuar nje sere skenografish ne Broduej, sic eshte shfaqja "Xhaxha Vanja" e Cehovit, vene ne mars te vitit 2006.

Kush eshte Andis Gjoni

Eshte lindur ne Tirane me 1968 dhe eshte bir arti; babai i tij eshte kompozitori Simon Gjoni dhe nena e tij koncert maester Hermira Gjoni. I kreu studimet e larta ne Akademine e Arteve ne Tirane ne vitin 1991.

Flora Nikolla


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›