E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i Bankës Botërore: Të gjithë vendet janë prekur nga kriza

 

Nuk ka më rritje ekonomike por vetëm pasiguri për të ardhmen. Kriza financiare ndërkombëtare ka prekur tregjet financiare të anembanë globit. Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore “Perspektiva Ekonomike Globale” (PEG) 2009, botuar dje, ekonomia globale po kalon një tranzicion nga një periudhë afatgjatë rritjeje, të kryesuar nga vendet në zhvillim, në një periudhë të madhe pasigurie, ndërsa kriza financiare në vendet e zhvilluara ka tronditur tregjet kudo në botë. Në vijim, raporti paralajmëron se rritja botërore e GDP-së do të jetë në nivelet 2.5 % në vitin 2008 dhe në 0.9 % për vitin 2009. Vendet në zhvillim do të shënojnë një rritje në 4.5 % vitin tjetër, çka dëshmon një rënie kundrejt 7.9 % të arritur në vitin 2007. Në anën tjetër, kjo rritje pritet të jetë negative edhe në vendet me të ardhura të larta. “Njerëzve në vendet në zhvillim do t’ju duhet të përballen me dy goditje të mëdha të importuara nga jashtë - rritja marramendëse në çmimet e ushqimit dhe karburanteve, e pasuar kjo nga kriza financiare - e cila ka minimizuar tensionet në tregjet e mallrave, por që po teston efektivitetin e sistemeve bankare dhe po kërcënon një numër të konsiderueshëm njerëzish me humbjen e vendeve të punës kudo në botë” - citohet të ketë thënë Justin Lin, ekonomist i lartë pranë Bankës Botërore dhe Zv/President i Ekonomisë së Zhvillimit. Sipas saj, “Masa urgjente duhet të ndërmerren për të parandaluar efektet negative të krizës në ekonomitë reale dhe te shtresat e varfra, përfshirë edhe vënien në jetë të projekteve publike në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, shkollave dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor”. 
Sipas BB-së, në momentin kur volumi tregtar botëror pritet të tkurret, afërsisht 2.1 % në vitin 2009, vendet në zhvillim do të përjetojnë rënie të konsiderueshme në nivelin e eksporteve. Kushtet me shtrënguese të kreditimit dhe pasiguria në rritje, pritet të shohin ngadalësimin e rritjes së investimeve si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e pasura dhe të zhvilluara në vitin 2009, të cilat do të bien në 1.3 % për vendet e zhvilluara dhe do të rriten vetëm me 3.5 % në vendet në zhvillim përkundrejt shifrës 13 % në vitin 2007. “Lipset që politikbërësit në vendet në zhvillim të monitorojnë sektorët bankarë me kujdes dhe të përgatiten të parashikojnë mbështetje të jashtme jo vetëm për monedhat, por edhe për sistemet bankare”- thotë Uri Dadush, Drejtor i Perspektivës Zhvillimore pranë Bankës Botërore, “duke parë rënien e pritshme në nivelin e tregtisë globale, si vendet e zhvilluara, ashtu dhe ato në zhvillim, duhet t’ju rezistojnë ngasjeve të ndryshme të proteksionizmit, të cilat nuk do bëjnë gjë tjetër, veçse do të zgjasin dhe thellojnë më tej krizën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›