EULEX nis punën edhe në veri, Kosova e mirëpret
Misioni EULEX, megjithëse është debatuar shumë në Kosovë, ka nisur dje me sukses punën me 1.400 pjesëtarë të tij me aktivitetet e tyre në fushën e policisë dhe gjyqësisë. Shefi i këtij misioni, Yves De Kermabon u shpreh se “Jam shumë i lumtur të them se këtë mëngjes ne kemi qenë në gjendje që të fillojmë me misionin EULEX në tërë Kosovën. Kjo nënkupton se që nga ora 08:00 e mëngjesit ne kemi marrë përgjegjësitë në fushën e rendit dhe ligjit, përgjegjësi që mbaheshin nga UNMIK-u. Kjo është bërë në bashkëpunim të ngushtë edhe me Qeverinë e Kosovës”, tha Kermabon. Sipas tij, ky mision deri në fund të dimrit mund të arrijë deri në 3 mijë veta. “Njerëzit tanë kanë filluar këtë mision për monitorim dhe këshillim të palës vendore”, tha Kermabon. Kreu i misionit më të rëndësishëm në historinë e Bashkimit Evropian, zhvilloi dje një takim me dy politikanët më të lartë në Kosovë, presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin, Hashim Thaçi. Kermabon njoftoi se pjesëtarët e EULEX-it janë vendosur në veri të Kosovës pa asnjë problem. “Për momentin kemi rreth 100 pjesëtarë në pjesën veriore të Kosovës. Ata janë të pranishëm edhe në portat 1 dhe 31 (në kufi me Serbinë) me disa ekipe që përfshijnë edhe policët kufitarë. Kemi policët tanë afër ndërtesës së gjykatës dhe po ashtu kemi edhe 10 pjesëtarë, që bëjnë pjesë në ekipin e gjykatave e që janë vendosur në objektin e gjykatës në veri dhe po ashtu kemi policët tanë edhe në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç”, tha ai i kënaqur me ecurinë e deritanishme të procesit edhe në zonat me shumicë serbe në Kosovë, ku ishin paralajmëruar protesta. Kermabon iu referua një numri të gjykatësve dhe prokurorëve evropianë të vendosur në Gjykatën në veri të Mitrovicës, e cila në mars të këtij viti, u shndërrua në skenë të përplasjes mes protestuesve serbë dhe policëve ndërkombëtarë, që çoi në vrasjen e një polici të UNMIK-ut. Një numër makinash të EULEX-it me pjesëtarë të policisë dhe gjykatës e prokurorë evropianë kanë hyrë në mëngjes në pjesën veriore të Kosovës. Zyrtarë evropianë thanë se ky hap shënon një faqe të re të historisë së Kosovës dhe i bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që ta mbështesin punën e misionit për drejtësi dhe polici. Përfaqësues të misionit të OKB-së, që kanë administruar Kosovën në nëntë vitet e kaluara, kanë lëshuar pjesën veriore të Kosovës me hyrjen e pjesëtarëve të parë të EULEX-it. Serbët e veriut të Kosovës kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre me vendosjen e EULEX-it në vendbanimet me shumicë serbe, por kanë thënë se nuk do ta pengojnë punën e misionit. Autoritetet në Prishtinë e kanë përshëndetur vendosjen e EULEX-it dhe kanë kërkuar zbatimin e mandatit të tij në përputhje me planin Ahtisari. Presidenti Sejdiu tha se mirëpret lajmin për fillimin zyrtarë të punës së EULEX-it në Kosovë dhe premtoi, se institucionet do të bashkëpunojnë ngushtë me misionin e BE-së për polici dhe drejtësi. Ndërkaq, Kryeministrin Thaçi vlerësoi se fillimi i punës së misionit të EULEX-it, është një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën.
Ahtisari: Pavarësia e pakthyeshme
Ish-presidenti finlandez dhe kryenegociatori i statusit të Kosovës, Marti Ahtisari, ka kujtuar dje në Oslo, ndërkohë që priste ceremoninë e dorëzimit të çmimit “Nobel” të Paqes, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. “Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e pavarur”, tha ai duke shtuar se “Progresi atje është i pakthyeshëm”. Ndërsa Ahtisari fliste, zyrtarët e UNMIK në Kosovë po i dorëzonin përgjegjësitë zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe autoriteteve lokale në Prishtinë. I pyetur për këtë proces, Ahtisari tha se “Besoj se është i mirëpritur”. Megjithatë ish-kryenegociatori tha, se anëtarësimi i Kosovës në OKB mbetet një proces i largët, por “Besoj se gjërat po ecin përpara. Më shumë vende do ta njohin Kosovën”. Në fund të vitit 2005, Kofi Annan, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, caktoi Z. Ahtisari si negociator për ta çuar Kosovën drejt statusit final. Negociatat përfunduan pa marrëveshje në vitin 2007, por Ahtisari paraqiti në Këshillin e Sigurimit një draft për pavarësi të mbikëqyrur, i cili u bllokua nga Rusia. Sot Kosova zbaton direktivat e planit të Ahtisarit.