Athinë, qindra mijëra në funeralin e 15-vjeçarit
Athina ndodhet në një situatë të tensionuar, ku qindra të rinj po sfidojnë forcat e rendit rreth Shkollës Politeknike, në zonën e studentëve “Exarchia”, të përfshirë tashmë nga dhuna dhe vandalizmat. Dje ishte funerali i djalit 15-vjeçar të vrarë nga policia. Forcat e rendit ishin në gatishmëri të lartë. Përleshjet kanë vazhduar edhe gjatë natës së të hënës. Sipas mediave greke dhuna kundër forcave të rendit ka vazhduar deri në 02:30 të mëngjesit. Incidentet nisën me protestën e pasdites të së hënës në Greqi dhe nuk reshtën më deri në mëngjes. Në protesta u përfshi edhe e majta parlamentare. Rreth 100 të rinj u përleshën me policinë në Shkollën Politeknike, e cila përbën një arterie kryesore të kryeqytetit grek. Trafiku në atë zonë ishte totalisht i bllokuar. Rektori i Universitetit të Athinës, Christos Kittas, ka dhënë dorëheqjen në formë proteste, pas shkatërrimit të plotë të një godine universitare, që policia nuk ishte në gjendje ta mbronte. Dje në mesditë, në qendër të Athinës u formua një kortezh, ku ishin të pranishëm mijëra profesorë e studentë universitarë e të shkollave të mesme. Manifestuesit kanë hedhur molotov kundër policisë, që po përpiqej të mos lejonte të rinjtë dhe profesorët të afroheshin para Parlamentit. Megjithatë, protestuesit kanë arritur të kalojnë postbllokun e policisë, duke u përleshur me forcat e rendit. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, ka takuar Presidentin e vendit, Karolos Papoulias, për ta informuar mbi situatën në vend, pas tri ditësh trazirash. “Izoloni të dhunshmit”, ky ka qenë apeli i Karamanlis pas takimit me Presidentin për të gjitha partitë, duke kërkuar prej tyre që të dënojnë dhunën, që kërcënon “shoqërinë dhe demokracinë”. Karamanlis zhvilloi një takim me të gjithë krerët e partive opozitare. “Në këtë moment kritik, bota politike duhet të dënojë në unanimitet këto akte dhune kundër qytetarëve”, tha ai. Ndërsa lideri i opozitës, Giorgio Papandreou ka apeluar për qetësi, pas takimit me Kostas Karamanlis, por tha gjithashtu se “vendi nuk ka një qeverisje që të mbrojë qytetarët” dhe se kur të fitojë ai zgjedhjet, do të jetë në gjendje “të mbrojë popullin dhe demokracinë”. Funerali i djalit u mbajt dje në orën 14:00 me turma, që ishin dyndur për të shoqëruar adoleshentin në banesën e fundit. Deri në fund të funeralit situata ishte e qetë, ashtu siç kishte kërkuar edhe familja e djaloshit të vrarë, Alexander Grigoropulos. Incidentet kanë nisur pas ceremonisë, në periferi të Athinës. Jashtë varrezave, policisë i është dashur të përdorë gaz lotsjellës për të larguar të rinjtë, që i godisnin vazhdimisht me gurë. Deri më tani janë arrestuar 87 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, mes tyre oficerë policie dhe protestues. Shumë janë shtruar në spital nga plagët e marra gjatë përleshjeve polici-protestues.