Bakaj: Kemi forcat për të kaluar turin

Elis Bakaj është një nga lojtarët më të spikatur të Partizanit, tek i cili shpreson jo pak trajneri Hasan Lika në një rezultat pozitiv në Bosnjë. Elis Bakaj është edhe mbajtësi i një rekordi shqiptar, atij të futbollistit më të ri në moshë të aktivizuar në një ndeshje ndërkombëtare. Bakaj është aktivizuar në ndeshjen Dacia Kisinau-Partizani (2-0), të zhvilluar më 5 korrik 2003, në Kisinau në moshën 16 vjec e 10 ditë. Përpara nisjes drejt Bosnjës, Elis Bakaj dha këtë intervistë për "Albania-sport.com".
Bakaj, në turin e parë eliminator të Kupës UEFA, Partizani do të përballet me boshnjakët e Shiroki Brijegut. Sa i përgatitur është ekipi për këtë sfidë?
-Jemi stërvitur intensivisht për rreth dy javë dhe unë besoj se Partizani do të tregojë atë nivel, me të cilin është paraqitur edhe në kampionat"
Në merkaton e verës janë larguar shumë lojtarë të formacionit bazë. Sa mund të ndikojë kjo në takimin e parë kundër Shiroki Brijeg?
-Kanë qenë lojtarë titullarë në ekipin tonë, por unë besoj se do t'i mbushim boshllëqet e largimeve.
A keni njohje për skuadrën e Shirokit, pasi nga informacionet është skuadra nënkampione e Bosnjës, ndërkohë që kanë dhe lojtarë të huaj në gjirin e tyre, brazilianë e të tjerë?
Personalisht nuk kam njohje për atë, por megjithatë ekipi ynë i ka ta forcat për ta kaluar këtë tur. Ka optimizëm në skuadër se mund t'i eliminojmë.
E ardhmja juaj vazhdon të jetë akoma enigmë. Keni qenë për provë në Ukrainë, ndërkohë që është folur edhe për Borusian e Dortmundit në Gjermani. Vazhdojë të qëndrojnë këto pista?
Pistat ekzistojnë akoma, por si klubi dhe unë jemi duke parë ofertat më të mira për të zgjedhur. Shpresoj se do të largohem në një kampionat të huaj.