Mavraj, gati rikthimi në Kombëtare

Mërgim Mavraj, mbrojtësi shqiptar i Bokumit në Gjermani do të ketë edhe një shans tjetër për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptar. Lojtari, i paisur në mënyrë urgjente me pasaportë shqiptare pas rekomandimit të ndihmësit të Hans Peter Brigelit, Aksel Ros, refuzoi disa vite më parë për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi. 21-vjecari Mavraj, i cili debutoi këtë sezon në ndeshjen e fundit të Bokumit, pritet të bashkohet me të thirrurit e Ari Hanit në grumbullimin tetë ditor të skuadrës në Gjermani, që do nisë më 20 maj e do të kulmojë me miqësoren kundër Polonisë, më 27 maj në Reutlingen. Mavraj, edhe pse luajti vetëm dy ndeshje në Bundesligë, arriti të shkruajë emrin e tij në listën e golashënuesve, kur realizoi në javën e fundit të Bundesligës në humjen 2-1 të Bokumit me Hansa Rostokut, ku ishte edhe më i miri i ekipit të tij (nota 2). Mavraj është një lojtar shtatlartë (1.89 m) dhe dallohet në lojën mbrojtëse në ajër. Mërgimi, i cili ka luajtur edhe për Gjermani U-21, mund të jetë një përforcim i vlefshëm për Kombëtaren A.