E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakalli: “Berisha do ta zbatojë në mënyrë selektive ligjin për dosjet”



Deputeti Bakalli, ish-anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, mendon se kjo parti dhe qeveria e Berishës po përdor dy standarde në leximin e mesazheve të ndërkombëtarëve. Duke komentuar deklaratat e fundit të faktorit ndërkombëtar ndaj miratimit të njënashëm nga Kuvendi të ligjit për hapjen e dosjeve, Bakalli mendon se qëndrimi i qeverisë do të krijojë kosto politike për vendin. “Mendoj se maxhoranca po përdor dy standarde në leximin e mesazheve të ndërkombëtarëve. Sa herë që maxhoranca apo qeveria dëshiron që të tjerët të dinë që vendi ka rritje ekonomike, që po luftohet korrupsioni, që po zbatohen standardet etj., qeveria mburret duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve, kushdo qofshin ata. Në momentin që ndërkombëtarët ngrejnë shqetësime në lidhje me projektligje të ndryshme, qeveria mendon se ndërkombëtarët nuk i dinë mirë punët tona”, - është shprehur Bakalli. Ai e shikon mjaft serioze situatën e krijuar dhe marrëdhëniet midis qeverisë “Berisha” dhe faktorit ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mendoj se situata është shumë serioze për vetë përmasat që ka projektligji. Ai është një projektligj gjithëpërfshirës dhe prek shumë shtresa të shoqërisë. Mendoj se në momentin që zoti Berisha do të fillojë të zbatojë ligjin, gjasat janë se ai do ta përdorë ligjin në mënyrë selektive dhe do të kemi krijimin e një problemi të vërtetë social”, - është shprehur Bakalli, ndërsa uron që Presidenti i Republikës të mos e dekretojë ligjin e miratuar vetëm nga PD-ja . “Por mendoj se Presidenti do t’i vijë në ndihmë kësaj maxhorance. Uroj dhe shpresoj që Presidenti të mos e dekretojë këtë projektligj”, - është shprehur deputeti i grupit parlamentar demokristian. Më tej Bakalli shton se qëndrimi i qeverisë kundër sugjerimeve të ndërkombëtarëve do të sjellë vonesa në proceset integruese të vendit në strukturat euroatlantike. “Mendoj se do të ketë një kosto. Çdo veprim politik ka dhe pasojat e tij dhe unë i lexoj deklaratat e ndërkombëtareve, të cilat nuk ishin aspak diplomatike dhe nëpërmjet të tilla deklaratave kryeministri Berisha ka marrë një paralajmërim shumë të fortë në atë ç’ka e prek në të ardhmen. Mendoj se ky qëndrim i qeverisë shqiptare do të shkaktojë vonesa në proceset integruese të vendit duke patur parasysh deklaratat e ndërkombëtarëve se po shkelen standardet”, - është shprehur Bakalli në një prononcim për gazetën “Albania”.

“Dosjet”, Berisha debat në Kuvend me Pëllumb Xhufin

Ligji për hapjen e dosjeve ka zënë pjesën më të madhe të debatit gjatë seancës së djeshme parlamentare. Ka qenë kryeministri Berisha ai që ka ngacmuar deputetin e LSI-së, Pëllumb Xhufi, duke i sugjeruar atij që të shkruajë një libër për Bahri Omarin. “Zoti Xhufi, kur del këtu si historian i leshit dhe jo i asaj që duhet të jesh, ndiej keqardhje. Ta them se e meriton këtë se ke dalë e na ke bërë historinë e tregtisë së leshit në Ballkan. Më mirë shkuaj një libër për Bahri Omarin, ki kurajon dhe shkruaje se ka vdekur si burrat. Ke parë ti historian në parlament që merret me tregtinë e leshit, ku e eksportonin shqiptarët?”, - është shprehur Berisha, i cili është replikuar nga Xhufi. Deputeti ka shprehur shqetësimin se kryeministri merret me intimitetin e njerëzve. “Po ju them një gjë lidhur me Bahri Omarin. Unë e kam respektuar që nga koha kur fillova të arsyetoj. Nuk qe nevoja të bëhesha dhëndër i Luan Omarit për ta respektuar dhe e respektoj për aq sa meriton të respektohet. Por Bahri Omari, në një moment të caktuar në jetë, ka bërë një gabim dhe u dënua në një mënyrë që nuk duhej të dënohej. Por duhet të tregoj një histori paralele. Kam gjyshin tim që ka qenë avokat shteti, pra merrej me gjykimin e njerëzve të thjeshtë. Nuk e lidhte asgjë me komunizmin dhe një ditë të bukur një Halil Alia, që ti i ke ngritur bustin në Dibër sot, një kriminel që ka vrarë dhe patriotë, vrau edhe gjyshin tim. Të gjitha duhen treguar drejt”, - është shprehur Xhufi, ndërsa ka hedhur akuza ndaj Berishës. Ndërsa deputetët e maxhorancës kanë akuzuar opozitarët si pinjollë të komunizmit. Në sallën e Kuvendit nuk ishin të pranishëm dje deputetët e Partisë Socialiste në vazhdën e bojkotit të seancës deri në miratimin e Kodit Zgjedhor.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›