PD-ja miraton e vetme aktin normativ për shpërblimet e fundvitit
Deputetët e PD-së kanë miratuar të vetëm dje Aktin Normativ për disa ndryshime në Ligjin Nr. 9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”. Miratimi i këtij drafti të paraqitur nga qeveria është kundërshtuar dje nga deputetët e LSI-së që ishin të pranishëm në sallë. Ndërsa ministri i Financave, Bode, theksoi se ky Akt Normativ vjen si një masë që balancon efektet që mund t’i vijnë ekonomisë sonë nga kriza botërore. Bode theksoi se Akti Normativ buron nga kontigjencat e lira për t’u përdorur si dhe nga kursimet. Ai foli për një fond prej 12 miliardë lekësh që do të përdoret në investime publike dhe theksoi se Akti Normativ vjen në ndihmë të ekonomisë shqiptare për shtresat në nevojë, për pensionistët, administratën, etj. Edhe kryeministri Berisha e vlerësoi këtë Akt Normativ, si një akt human të qeverisë së tij. Ai vuri në dukje përpjekjet e mëdha për të kursyer, të shprehura në kursimet për shpenzime administrative, si dhe për personelin, uljen e kostos së prokurimeve në masën 12%, etj.
Komisioni miraton ndryshimet në Kod, data e zgjedhjeve 21 ose 28 qershori
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore miratoi dje ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke propozuar një dispozitë kalimtare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputetët e Partisë Demokratike dhe ato të PS-së miratuan vetëm nenin për të cilin Kodi Zgjedhor u rikthye në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Në dispozitën e miratuar dje në komision, deputetët i propozojnë kreut të shtetit dy data për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kështu, Presidentit të Republikës do t’i duhet të zgjedhë midis datës 21 dhe 28 qershor të vitit të ardhshëm për të dekretuar datën e zgjedhjeve parlamentare. Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka marrë në konsideratë propozimet e LSI-së për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, propozime që lidhen veçanërisht me përbërjen e komisioneve të numërimit të votave. Në përfundim të mbledhjes së Komisionit, bashkëkryetari socialist Fatmir Xhafaj u shpreh se Kodi Zgjedhor i ndryshuar pritet të miratohet javën e ardhshme në seancë parlamentare.
25 Dhjetor 2008