E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, zbardhet plani i qeverisë

 

Fabiola Çela

Pas kthimit nga Gjykata Kushtetuese, qeveria ndryshon ligjin për pensionet suplementare të ushtarakëve. Gazeta ka arritur të zbulojë draftin që ndodhet tashmë në kryeministri dhe pret vetëm firmën e Berishës. Ky është projekti i tretë për pensionet e ushtarakëve, dhe vjen para zgjedhjeve, ashtu si ai që miratoi kuvendi me shumicë socialiste ditën e fundit të mandatit në vitin 2005. Koha e miratimit nuk është i vetmi ndryshim për pagesën e pensionit të parakohshëm dhe atij suplementar për ushtarakët. Qeveria ka vendosur të bashkojë në një kategori përfitimi të pensioneve të gjithë uniformat e shtetit. Ligji i ri, për sigurimet shoqërore suplementare do të përfshijë, “ushtarakët e forcave të armatosura, policinë, gardën, SHISh, policinë e burgjeve, zjarrfikësit dhe punonjësit e kontrollit të brendshëm.
Ligji i miratuat nga kuvendi në shkurt të viti 2006 nuk u bë aktiv, për shkak të hedhjes poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Në atë ligj, ndarja e përfitimeve të pensionit bëhej sipas gradave, ku grada më e lartë përfitonte pension deri në 6 pensione minimale deri në gradën më të ulët ushtarake që përfitonte 2 pensione minimale. Me ndryshimin e ri, pensionet e ushtarakëve unifikohen, pra nuk ka ndryshime sipas gradave. Këto ndryshime do vijnë si rezultat i pagave që marrin aktualisht ushtarakët dhe sigurimeve të tyre suplementare.
Dënimet
Në ligjin e ri, do njihet si kohë shërbimi për efekt pensioni e gjithë koha e dënimit apo internimit të ushtarakut për motive politike. Aktualisht, ligji që është në fuqi e njeh këtë të drejtë, por me kusht që ushtaraku para dënimit të kishte të paktën 5 vite në shërbim. Sipas qeverisë, përcaktimi i një afati prej 5 vitesh, nuk ka lidhje me arsyen e dënimit, në këtë mënyrë, është vendosur që të njihet si periudhë sigurimi e gjithë periudha e përndjekjes së ushtarakut, e njohur si pafajësi në bazë të dispozitave të ligjit të vitit 1991 për amnistinë, pafajësinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve politikë, pavarësisht nga koha e shërbimit që ka bërë ushtaraku.
Paga referuese
Një ndryshim themelor dhe që ndihmon drejtpërdrejtë ish-ushtarakë dhe gupet e tjera të interesit, është njohja e pagave referuese. Aktualisht pas lirimit nga detyra ushtarakët trajtohen me pension të parakohshëm. Periudha nga data e lirimit deri në datën e mbushjes së moshës për pension, mbulohej nga shteti si periudhë e siguruar. Kjo në mënyrë që pas mbushjes së moshës së pensionit, ushtarakët të merrnin pension të plotë pleqërie. Deri tani për këtë periudhë të trajtimit të ushtarakëve, shteti paguante sigurime mbi pagën minimale. Pra pas mbushjes së moshës, ushtaraku duhet të merrte pension duke llogaritur kontributet që kishte paguar në kohën e punës dhe kontributet minimale që i kishte paguar shteti për kohën e largimit nga detyra. Mesatarja e këtyre kontributeve i jepte ushtarakut një pension më të vogël. Me ligjin e ri, edhe periudha e lirimit, pra periudha kur ushtaraku merr pension të parakohshëm, do të sigurohet sikur ai të jetë në punë. Pra me pagë referuese. Kjo do të sjellë rritjen e pensionit të pleqërisë, kur ushtaraku të mbushë moshën e pensionit. Sipas qeverisë “e gjithë periudha kur ushtaraku është trajtuar sipas vendimeve të vitit 2002 dhe vitit 1996 do të sigurohet me pagesë sipas pagave referuese dhe jo me sigurim për pagën minimale. Gjithashtu kjo pagë, e cila do të indeksohet, mund të llogaritet, në rast se preferohet, edhe si pagë për efekt të rillogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe si pasojë edhe pensionit suplementar”
Pensioni i parakohshëm
Për pensionin e parakohshëm, Ministria e Financave është e dyzuar. Në vendimin që ka shkuar në qeveri janë parashikuar dy mënyra. Varianti i parë për të përfituar pension të parakohshëm është, për femrat 12 vjet shërbim dhe moshë 42 vjeç dhe për burrat 15 vjet shërbim dhe moshë 47 vjeç. Ndërsa varianti i dytë është 15 vite shërbim për femrat dhe moshë 47 vjeç dhe 18 vite shërbim për burrat dhe moshë 52 vjeç. Ministria e Financave e justifikon rritjen e moshës me ligjin e sigurimeve që ka hyrë në fuqi në vitin 2002, ku në mënyrë graduale mosha e daljes në pension bëhet 65 për burrat dhe 60 për gratë. Masa e pensionit të parakohshëm është 50 për qind e pagës referuese dhe 2 për qind shtesë për çdo vit tjetër shërbimi. Sidoqoftë, masa e shpërblimit me pension të parakohshëm nuk duhet të jetë më shumë se dy pensione bazë dhe shtesa jo më shumë se 20 për qind. “Periudha e trajtimit me pension të parakohshëm do të vazhdojë të njihet si periudhë sigurimi, për përfitimet e ardhshme të ushtarakëve nga ligji i sigurimit të detyrueshëm dhe kontributet do të llogariten e derdhen nga buxheti i shtetit në buxhetin e sigurimeve shoqërore, mbi bazën e pagës referuese”.
Kush përfiton
Ligji parashikohet që të votohet në Qeveri dhe më pas të shkojë për shqyrtim në Kuvend. Pas miratimit nga Kuvendi, ligji duhet të botohet në fletore zyrtare dhe 15 ditë më pas hyn në fuqi. Pavarësisht kaluarit, Ministria e Financave thekson se i ka gati paratë dhe ato janë parashikuar në buxhetin e shtetit të këtij viti. Për rreth 9985 përfituesit aktual, kontributi mesatar mujor që paguhet nga buxheti është rreth 70 milionë lekë ose 840 milionë lekë në vit. “Efektet financiare të këtij ligji, lidhur ne pensionet suplementare të ushtarakëve që kanë përfituar pension pleqërie para vitit 1991, parashikohen rreth 45 milionë lekë në muaj, ndërkohë që do të vazhdojnë të trajtohen dhe rillogariten pensionet aktuale të parakohshme për 9602 ushtarakë dhe 382 ish-policë, si dhe 4761 pensione suplementare të njohura aktualisht.

shembulli
Majori A ka aktualisht pagë prej 60 mijë lekësh në muaj. Ai ka 25 vite punë dhe aktualisht është 47 vjeç. Në këtë moment ai lirohet nga detyra. Sipas ligjit, që ai të marrë pension të parakohshëm duhet të ketë të paktën 15 vite pune dhe një moshë të paktën 47 vjeç. Të dyja këto kushte plotësohen. Ligji i ri parashikon gjithashtu që pensioni të jetë sa 50 për qind e pagës me një shtesë prej 2 për qind për çdo vit tjetër pune, por jo më shumë se dy pensione bazë dhe shtesë jo më shumë se 20 për qind e pagës. Në këtë mënyrë, majori, duhet të përfitojë një pension prej 30 mijë lekësh dhe një shtesë prej 10 vite x 2% të pagës, pra 12 mijë lekë. Por sipas ligjit, pensioni nuk duhet t’i kalojë dy pensione bazë. Aktualisht pensioni bazë është 8640 lekë dhe pensioni i majorit duhet të jetë 17280 plus shtesën prej 12 mijë lekësh. Pra majori, në rast se del në pension të parakohshëm, merr 29280 lekë pension të parakohshëm.

kush perfiton

Ushtarakët
Policët
Garda
SHISH
Policia e Burgjeve
Zjarrfikësit
SHKB

Ligji i ri për sigurimet suplementare

Përfituesit
Përfitues sipas këtij ligji janë:
1-Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; oficer, nënoficer, student ushtarak dhe kursant dhe kursant për nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist, ushtar i shërbimit të detyrueshëm, ushtarak në rezervë/lirim/pension pleqërie.
2-Punonjësit të policisë së Shtetit kur janë aktivë, në pagesë kalimtare, në pension pleqërie, student, kursante dhe ushtare (ndihmës agjent).
3-Punonjësit e gardës: që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursante, student dhe ushtare, ish-punonjësit e gardës që janë në dispozicion, në pritje për riemërim në detyrë dhe ish–punonjësit e Gardës që kanë dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.8869, datë 25.03.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” të cilët trajtohen me pagesë kalimtare apo në pension.
4-Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit në marrëdhënie pune me SHISH-in, ata në lirim, me pagesë kalimtare, në pension, si dhe kursantët.
5-Punonjësit e policisë së Burgjeve kur janë aktivë, me pagesë kalimtare në pension pleqërie, student, kursante dhe ushtarë (ndihmës agjent).
6-Punonjësit e policisë së mbrojtjes nga zjarri.
7-Punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm.
8-Anëtarët e familjeve të personave të përmendur në pikat 1-7 të këtij neni.
Vjetërsia në shërbim
1-Vjetërsia në shërbim sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në ligjin nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nr.9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, nr. 8669, datë 25.03.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, nr. 9357, datë 17.03.2005 “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”, nr. 8321 datë 2.04.1998, “Për Policinë e Burgjeve” i ndryshuar, në ligjin nr. 8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin” dhe në ligjin nr. 10002, datë 6.10.2008 “Për shërbimin e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.
2-Për efekte të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit e njohur sipas ligjeve të sipërshënuara, bashkohet.
3-Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.
4-Në vjetërsinë në shërbimin përfshihen edhe:
a)Koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri a vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;
b)Koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internimit, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
5-Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjes e kësaj dispozite, të shprehen strukturat respektive me shkrim, se kush do jenë funksionet e veçanta organike që do rivlerësohen me 1.5 fish. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Paga referuese
1-Përfitimet që jepen nga ky ligj llogariten në bazë të “pagesës referuese”.
2-Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë sipas viteve të shërbimit, dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen dhe zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës për një përfitim. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Pagat referuese të njehsuara, dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për gjithë karrierën, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3-Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës të Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve, e të tjerë apo kursantët që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese për efekt përfitimi është paga e gardës ose funksionit më të ulët të oficerit, ose inspektorit të SHISH, ndërsa për kursantët për nënoficerë paga referuese është paga më e ulët e gradës ose funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH të nivelit përkatës.
4-Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi nuk është më, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm (Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Komandanti Gardës), Ministri i Drejtorisë dhe Drejtori i SH.I.SH-it me urdhër, bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada që janë në fuqi, në çastin e lindjes së të drejtës për përfitim.
Llojet e përfitimeve suplementare dhe kushtet e përftimit
Personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji apo familjeve të tyre, u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për:
a.Paaftësi të përkohshme në punë e shërbim;
b.Parandalim për sëmundje;
c.Rehabilitim shëndetësor,
d.Shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/ rezervë;
e.Pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;
f.Pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë;
g.Pension suplementar invaliditeti;
h.Pension suplementar familjar;
i.Pension suplementar familjar, kur për shkak të detyrës humbasin jetën;
j.Pagesa suplementare për shpenzime varrimi

Paaftësia e përkohshme në punë
Kushtet e përfitimit
Ushtaraku i shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, punonjësi i Gardës dhe punonjës i Shërbimit Informativ, punonjësi i policisë së burgjeve, punonjësi i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësi i shërbimit të kontrollit të brendshëm, për kohën që për arsye shëndetësore bëhet i paaftë për punë dhe kjo paaftësi është vërtetuar me raport mjekësor, merr përfitime suplementare.
Masa e përfitimit suplementar
Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet:
a. 100 të pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë
b. 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim;
c. 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.
Parandalimi për sëmundje
Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësit të policisë së Shtetit, punonjësit të Gardës, punonjësit të SH.I.SH, punonjësit të policisë së burgjeve, punonjësit të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësit të shërbimit të kontrollit të brendshëm, në varësi të situatave operacionale, sipas përcaktimit të bërë nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, gëzon të drejtën e parandalimit për sëmundje. Ministri i Mbrojtjes me udhëzim përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni.
Rehabilitim shëndetësor
Shpenzimet për trajtimin shëndetësor dhe ritrajtimin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura, punonjësit të policisë së Shtetit, punonjësit të Gardës, punonjësit të SH.I.SH, punonjësit të policisë së burgjeve, punonjësit të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësit të shërbimit të kontrollit të brendshëm, për rikthimin e aftësive në punë të humbura për shkak të një sëmundje apo dëmtimi trupor, të ndodhur për shkak të detyrës dhe të vërtetuara nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar  Qendror Ushtarak, përballohen nga buxheti i shtetit.
Kriteret dhe masa e trajtimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare
1.Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së shtetit, punonjësi i Gardës së Republikës, punonjësi i SH.I.SH, punonjës i Policisë së Burgjeve, punonjësi i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësi i shërbimi të kontrollit të brendshme, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nxirret në rezervë apo lirim, merr një shpërblim të menjëhershme në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas këtij fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare.
2. Pagesë kalimtare jepet kur përftuesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 % të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim.
3.Trajtimi financiar me shpërblimin e menjëhershëm dhe pagesa kalimtare, për të dy llojet e përftimeve së bashku, zgjat për aq muaj sa përfituesi ka vjetërsi shërbimi po jo më shumë së për 24 muaj.
4.Personat e përcaktuar në pikën “1” të këtij neni nuk përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pagesë kalimtare në rastet:
a.Kur kryejnë vepra penale ose shkelje që dënohet me masën disiplinore, përjashtim nga Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Garda e Republikës SH.I.SH, policia e Burgjeve.
b.Kur largohet me kërkesën e tij për të filluar një veprimtari tjetër ekonomike ose për një punësim në një sektor tjetër.
c.Kur dërgohet me një detyrë shtetëror, më të lartë ose paralele, me pagë mujore jo më të vogël se, paga që merrte.
5.Për rastet kur përfituesi punësohet, mund të përfitojë pagesë kalimtare për aq kohë sa është përcaktuar në pikën 3 të këtij neni por deri në atë masë sa paga e re plus pagesa kalimtare nuk e kalojnë pagën referuese mujore mbi bazën e të cilës është llogaritur ajo.
Pension i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi
Kushtet e përfitimit
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së shtetit, punonjësi i Gardës së Republikës, punonjësi i SH.I.SH, punonjësi i Policisë së Burgjeve, punonjësi i policisë  së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësi i shërbimit të kontrollit të brendshme, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm kur:
Varianti I,
a. Plotësojnë vjetërsinë në shërbim 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt
b. Ka mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt.
Varianti II,
a. Plotësojnë vjetërsinë në shërbim 15 vjet për femrat dhe 18 vjet për meshkujt
b. Ka mbushur moshën 47 vjeç femrat dhe 52 vjeç meshkujt.
Masa e përfitimit
1. Pensioni të parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është sa 50% e pagës mesatare  referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi këtë përcaktim, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës mesatare referuese.
2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës “1”, në momentin që lind e drejta për përfitimin:
a. Për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se, dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
b. Për personat që kanë paguar kontribute suplementare nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe së dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë plus 20% të pagës referuese të muajit të fundit të punës.
3. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi është në shërbimin aktiv.
4. Në rast kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, për efekt të zbatimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
5. Në rastet kur karriera është ndërprerë për shkaqet e përcaktuara në pikën 4 të nenit Neni 11 “Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare”, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.
Pension suplementar i pleqërisë
Kushtet e përfitimit
Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së shtetit, punonjësi i Gardës së Republikës, punonjësi i SH.I.SH, punonjësi i Policisë së Burgjeve, punonjësi i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësi i shërbimit të kontrollit të brendshme që përfiton pension pleqërie, sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, gëzon të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie.
Masa e përfitimit
Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet  me 1% të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi por jo më shumë së 50% e pensionit të pleqërisë që përfituesi gëzon në momentin e lindjes se të drejtës për pension suplementar.
Periudha e sigurimit dhe kontributet
1. Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare, me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pension pleqërie, invaliditet e familjar nga ligji nr .7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. I ndryshuar. Kontributi për këto periudha përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur përfitimi mujor, e indeksuar çdo vit me koeficientet e indeksit të bazës së vlerësuar, por në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale të caktuara nga Këshilli i Ministrave, për efekt të pagesës së kontributeve të detyrueshme. Në rastet kur përfituesi i pagesës kalimtare apo i një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi punësohet, kontributi nga buxheti i shtetit derdhet në nivelin minimal.
2. Për të gjithë ushtarakët që kanë dalë në rezervë a në lirim, periudha e trajtimit financiar sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave nr. 225, datë 29.5.1992 dhe nr 7, datë 10.1.1996, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi të pensionit të pleqërisë, invaliditet e familjar nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. I ndryshuar. Kontributet llogariten në bazë të pagës referuese mbi të cilën është llogaritur trajtimi financiar, e indeksuar me koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për të gjithë periudhën.
Për këtë periudhë, fondet për pagesën e kontributeve jepen nga buxheti i shtetit në vartësi të numrit të personave që përfitojnë pension. Paga mbi të cilën është llogaritur trajtimit financiar, kur zgjidhet nga ushtaraku, merret edhe si pagë bruto për efekt të rillogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe pensionit suplementar.
3. Procedurat e llogaritjes dhe pagesës së kontributeve përcakton me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pensioni suplementar për ushtaraket në pension
Ushtaraku që ka ndërprerë karrierën si ushtarak para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496 dt.3.07.1991 dhe përfitojnë pension sipas ligjeve nr.4171 dt. 13.09.1966 apo sipas ligjit nr.7703, dt. 11.05.1993, do të përfitojnë pension suplementar. Kushtet e përfitimit dhe masa e pensionit suplementar janë sipas këtij ligji dhe janë të njëjta me ato të përcaktuara, si edhe për ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën pas kësaj date. Kategoritë e përfituesve dhe metodika e llogaritjes së pagës referuese caktohen me vendim të qeverisë.
Pension suplementar i invaliditetit
Kushtet e përfitimit
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së shtetit, punonjësi i Gardës së Republikës, punonjësi i SH.I.SH, punonjësi i Policisë së Burgjeve, punonjësi i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe punonjësi o shërbimit të kontrollit të brendshme, përfiton të drejtën për pension invaliditetit suplementar në rastet kur është deklaruar invalid dhe përfiton pension invaliditeti të plotë a të pjesshëm, sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Masa e përfitimit
1. Pensioni suplementar i  invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën  mesatare referuese mujore, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit që përfitohet sipas, ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë Popullore të Shqipërisë” ose nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Kur personat e sipërshënuar bëhen invalid në krye të detyrës dhe për shkak të saj masa e pensionit suplementar të invaliditetit do të jetë 20 % e pagës referuese.

Ish-ushtarakët, Rama: Do respektojmë Kushtetuesen

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama zhvilloi dje një takim me shoqatën e ish-ushtarakëve për programin qeverisës. Rama u premtoi atyre se me ardhjen në pushtet socialistët do të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpërblimet e tyre. “Unë jam këtu për t’ju thënë se ne nuk e diskutojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me grupin tuaj të interesit. Të drejtat që burojnë nga ligji dhe janë konfirmuar dhe nga vendimi i kësaj gjykate, ne i njohim si detyrimet e qeverisë sonë që do të dalë me votën e 28 qershorit”, tha Rama. Kreu socialist i ftoi ata të jenë pjesë e fushatës dhe të kontribuojnë pas saj në reformimin e forcave të armatosura. “Unë besoj se kontributi juaj dhe i shoqatës suaj nuk mbaron më 28 qershor, kur fillon zgjidhja përfundimtare e problemit që keni shtruar për zgjidhje mbi bazën e vullnetit të Gj.K. Përkundrazi, kontributi i secilit prej jush dhe i shoqatës suaj vazhdon edhe pas 28 qershorit, për reformat e mëtejshme në FA aktive”, tha Rama. Duke shprehur mbështetjen e tij për të gjithë ish-ushtarakët, Rama tha se qeveria aktuale ka shkelur hapur ligjet e shtetit edhe për këtë kategori. “Beteja juaj me qeverinë aktuale është një nga provat më domethënëse se si kjo qeveri e ky kryeministër, i cili i mori votat e shqiptarëve, ndër të tjera dhe si njeriu që premtoi zbatimin pa kompromis të çdo ligji, shkeli hapur ligjet e shtetit dhe vetë vullnetin e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni dëshmitarët e gjallë, që sot provoni se sa të gënjeshtërta janë përbetimet e Sali Berishës për shtetin ligjor, se sa hipokrite janë premtimet e Sali Berishës për të bërë ligje të mira e të drejta e për të zbatuar çdo ligj dhe se sa i dëmshëm do të ishte jo vetëm për ju, por dhe për të tjerë e të tjerë, mandatimi i Sali Berishës për të vazhduar trajektoren e keqqeverisjes së 18 vjetëve që në këto 4 vjet ka arritur ekstremin e vet”, tha Rama. Kreu socialist shprehu shqetësimin e tij lidhur me trajtimin që po i bëhet forcave të armatosura, nisur dhe nga tragjedia e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›