E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do njohim vitet e punës së emigrantëve në Greqi dhe Itali

 

Kreu i PS Edi Rama ka zgjedhur Lazaratin, për të startuar prezantimin e programit qeverisës së vendit pas 28 qershorit në Jugun e Shqipërisë. Lazarati, fshati rebel ku pak drejtues të majtë kanë qenë për të bërë fushatë dhe bastion historik i demokratëve. Rama është pritur nga dhjetëra banorë, kryesisht të rinj të cilët e kanë mbështetur atë me duartrokitje. Si një zonë ku ka një përqindje të madhe të popullsisë në emigracion, kryesisht në Greqi, Rama shpalosi dhe një nga pikat e programit qeverisës të PS-së pas 28 qershorit. Kreu socialist u shpreh i gatshëm dhe me vullnet të plotë për të bërë të mundur njohjen e viteve të punës së të gjithë emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi dhe Itali, përmes marrëveshjeve dypalëshe me vendet respektive. “Brenda mandatit tonë qeverisës, ne do të lidhim marrëveshje dypalëshe me Italinë e Greqinë për njohjen reciproke të periudhave të sigurimit për efekt pensioni të të gjithë atyre qindra e mijëra shqiptarëve e shqiptareve, të cilët në mungesë të këtyre marrëveshjeve, e kanë të pamundur të bëjnë në atdheun e tyre dhe në atdheun e adoptuar njohjen reciproke të viteve të sigurimit për efekt pensioni”, u shpreh kryetari socialist. Duke folur në një fshat që tradicionalisht në vitet e tranzicionit ka qenë bastion i së djathtës, Rama tha se politika i ka përdorur njerëzit si “mish për top” këto 18 vite, ndërkohë që respekti për njëri-tjetrin duhet të jetë themelor. “Ruaj  respektin më të madh për këtë fshat, për këtë zonë, për të gjithë ju që jeni këtu, për të gjithë ata që nuk janë këtu, apo për ata që na vështrojnë nga ballkonet”, iu drejtua lazaratasve Rama. Kreu socialist në Lazarat kërkoi sërish bashkimin e shqiptarëve përtej të majtës dhe të djathtës, për të vendosur vetë jashtë flamujve partiakë të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.  “Unë besoj se ky vend nuk mund të bëhet vendi ku ne duam të jetojmë dhe të rriten fëmijët tanë, duke e parë njëri-tjetrin me mllef, me përçmim. Ky vend mund dhe do të bëhet vendi që ne duam duke respektuar njëri-tjetrin, duke respektuar bindjet dhe duke kuptuar se në fund të fundit cilësia e jetës në demokraci dhe bashkëjetesa demokratike qëndron në mënyrën sesi takohemi dhe e respektojmë njëri-tjetrin pavarësisht se nuk jemi dakord. Shqipëria reale, Shqipëria e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm është përtej të majtës e të djathtës”, tha Rama. Takimi në Lazarat nuk ka shmangur as akuzat e kreut socialist ndaj qeverisë aktuale të Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›