E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi: Koalicioni i PS në avantazh

 

aristir lumezi

Një sondazh i ri parazgjedhor u shpall dje nga televizioni “Ora News” i cili do të japë kampione çdo muaj deri në zgjedhjet e 28 qershorit. Sondazhi i prezantuar dje nga Antonio Noto, drejtori i kompanisë së sondazheve “IPR Marketing”, pas pyetjes “Sikur zgjedhjet të bëheshin sot?, i jepte avantazh koalicionit të Partisë socialiste, me të dhëna të lëvizshme nga 45-49 për qind.  Ndërsa koalicioni i djathtë me Partinë Demokratike merr 39.5-43.5 për qind. Koalicioni “E majta për Integrim” sipas sondazhit merr 6-10 për qind të votave të të intervistuarve. Ndërsa “Poli i Lirisë” nga 0-2 për qind. Sondazhi i “IPR Marketing” ka intervistuar 1500 shtetas shqiptarë përmes telefonatave në të gjithë vendin, sipas grupeve të klasifikuara prej tyre në nivel kombëtar. Përveç preferencave për votën, të pyeturit e sondazhit kanë dhënë preferencat e tyre edhe për dy drejtuesit e partive kryesore. 52 për qind e të intervistuarve kanë besim tek Edi Rama ndërsa 36 për qind e tyre nuk kanë besim tek ai. Ndërsa Sali Berisha ka një përqindje besimi 39 për qind, ndërsa nuk kanë besim tek ai 52 për qind e të intervistuarve. “Ora News” ka kontraktuar një kompani prestigjioze në sondazhe elektorale dhe exit poll-eve në Itali dhe Evropë, “IPR Marketing” për organizimin e sondazhe mujore deri në zgjedhje dhe nxjerrjen e rezultatit përmes exit poll-eve, një minutë pas mbylljes së votimeve e deri në 2 orë e gjysmë pas mbylljes së tij. Sondazhi i djeshëm kishte përcaktuar dhe të çështjet kryesore që shqetësonin më shumë të intervistuarit. 75 për qind e tyre shihnin si problemin kryesor papunësinë, 54 për qind korrupsionin, 43 për qind shëndetin, 31 për qind zhvillimin ekonomik, 31 për qind inflacionin dhe 31 për qind kriminalitetin. Të pyetur nga operatorët e kompanisë, të intervistuarit janë shprehur në masën 93 për qind të tyre se i konsiderojnë shumë të rëndësishme zgjedhjet e përgjithshme për të ardhmen e vendit. Deri tani janë prezantuar tre sondazhe në mediat dhe politikën shqiptare, Gani Bobi, Zogby International dhe dje IPR Marketing të cilat për herë të parë në historinë e politikës pluraliste shqiptare do të bëjnë parashikimet parazgjedhore në Shqipëri. Ndërsa IPR Marketing, ndryshe nga dy kompanitë e tjera, do të japë e para ditën e zgjedhjeve, vetëm 2 minuta pas mbylljes së votimit parashikimin e parë të rezultatit të tyre. 

Rezultatet e sondazhit të IPR Marketing

PS            41-45%
G99            1-3%
PSD            0-2
PDS            0-2
PBDNJ        0-2
Koalicioni     45-49%

PD            37-41%
PR            0-2%
PAA            0-2
PAD        0-2
Koalicioni     39,5-43.5%
LSI                6-10%
PSV 91            0-2%
“E Majta për Integrim” 6-10%

LZHK            0-2%
PDK                0-2%
Poli i Lirisë         0-2%

13% të pavendosur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›