Berisha në Kroaci me ftesë të Sanaderit
Me ftesë të Kryeministrit Ivo Sanader, Kryeministri Sali Berisha u nis dje në mesditë për një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci. Kryeministri Berisha shoqërohet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli.
Kryeministri Berisha do të pritet nga homologu i tij Sanader, me të cilin do të zhvillojë fillimisht një takim kokë më kokë dhe më pas do të zhvillohen bisedimet mes dy delegacioneve zyrtare. Gjatë bisedimeve do të trajtohen marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, proceset integruese në NATO dhe BE, si dhe zhvillimet në rajon. Pas bisedimeve, midis të dyja palëve do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi. Gjatë vizitës në Kroaci, Kryeministri Berisha do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti Stipe Mesiç dhe kryetari i Parlamentit, Luka Bebiç. Kryeministri Berisha do të zhvillojë gjithashtu një takim në Dhomën e Ekonomisë me përfaqësues të biznesit kroat. Një takim i veçantë do të jetë ai me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci.