E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis: Shkupi të vijojë bisedimet me vendosmëri

Athinë- Ministria e Jashtme greke, Dora Bakojani deklaroi se Greqia pret që të vazhdojnë bisedimet me Shkupin nga fundi i muajit "me optimizëm dhe vendosmëri". “Greqia mbetet në pozicionin se zgjidhja e kontestit me fqinjin verior është "erga omnes" respektivisht një emër i përbërë me përcaktim gjeografik që do të përdoret nga të gjithë”, deklaroi Bakojani në një intervistë për gazetën "Adezmeftos tipos".

Lidhur me këtë çështje është deklaruar sot edhe lideri i partisë më të madhe opozitare greke PASOK , Jorgos Papandreu. Në një miting në Vergina para zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian që do të mbahen më 7 qershor, Papandreu tha se është kundër formulës së dyfishtë si zgjidhje e kontestit.

"Greqia dëshiron që IRJM-ja t'i bashkëngjitet BE-së, kurse kjo mund të realizohet me zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët që njëkohësisht nënkupton edhe ripërtëritjen e marrëdhënieve bilaterale", deklaroi Papandreu. Lideri i socialistëve grekë vlerëson se marrëdhëniet mes Athinës dhe Shkupit duhet të ndërtohen sipas parimit "llogari të pastra - miqësi të mirë". (ina/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›