E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pritet të bëhet sot anëtare e Bankës Botërore

Nju Jork - Sot përfundon votimi për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore. Zyrtarizimi i këtij procesi, vjen pas rreth një viti që kurse Kosova aplikoi për të qenë anëtare e këtij institucioni. Kusht për anëtarësim në Bankën Botërore ishte edhe anëtarësimi paraprak në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa një kusht tjetër qe edhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës i ligjit për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Organizatat e Grupit të Bankës Botërore.

Anëtarësimi në Bankën Botërore do të përfshijë edhe organizmat e tjerë që janë në Bankën Botërore, si Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar e të tjera. Ashtu si edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, anëtarësimi Bankën Botërore nuk kushtëzohet me anëtarësim paraprak në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mirëpo e ndihmon mjaft shumë hapjen e mëtejme të rrugës së Kosovës për anëtarësim në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.

Një zyrtar i Bankës Botërore në Washington tha për RTK-në se është pothuajse i sigurt anëtarësimi i Kosovës, ndërsa nuk mundi të precizonte se kur do të jepet lajmi zyrtar. Ai shtoi se një anëtar i ri në Bankën Botërore pranohet me shumicë votash nga ana e Guvernatorëve, ndërkaq fuqinë votuese me shumicë në Bankën Botërore, ashtu si edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, e kanë vendet perëndimore, shumica e të cilave edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Banka Botërore është krijuar në dhjetor të vitit 1945 dhe ashtu siç e thotë edhe emri i saj, ajo është një bankë ndërkombëtare që ofron ndihmë financiare dhe teknike vendeve në zhvillim dhe si mision të saj të deklaruar ka zvogëlimin e varfërisë. Së këndejmi Banka Botërore bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar tash e tutje do të ketë një rol më të madh në mbështetjen e projekteve të ndryshme zhvillimore të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›