E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis: Çështja maqedonase, konstruksion i Luftës së Ftohtë

Çështja maqedonase është një nga ato që ka shqetësuar rajonin e Ballkanit dhe banorët e tij në të kaluarën dhe për zgjidhjen e së cilës nuk ka pengesa të pakapërcyeshme. Por nga ana tjetër, kjo çështje është shfrytëzuar nga vende të treta për hir të interesave të tyre. Kështu deklaroi këto ditë në Selanik, ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, në ceremoninë e promovimit të librit "Çështja maqedonase dhe Bullgaria - dokumente sekrete (1950-1967)", botuar bashkërisht nga Qendra për Kërkimet Maqedonase, me seli në Selanik, dhe Arkivi i Shtetit të Bullgarisë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e promovimit të librit, Bakojanis vuri në dukje se "libri që po prezantojmë ofron shumë prova lidhur me mënyrën sesi kjo çështje u bë mjet për realizimin e atyre interesave dhe planeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me të vërtetën. Dokumentet shtetërore bullgare janë një provë tjetër e faktit se, në epokën moderne, çështja maqedonase, në një masë të madhe, është një konstruksion ideologjik tjetër i Luftës së Ftohtë". Shefja e diplomacisë greke shtoi se krijimi i kësaj çështjeje ishte pasojë e rivalitetit, të provokuar nga kjo luftë në Ballkanin e trazuar.

Sipas ministres së Jashtme greke, kanë kaluar dy dhjetëvjeçarë që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, por, megjithatë, çështja maqedonase ende shfrytëzohet në kohë tensionesh nga të tjerët, ndërkohë që ajo ka ndikim të madh mbi stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit. Për znj. Bakojanis, çështja që trajtohet në libër është më e komplikuar dhe krijon reflekse të ndryshme jo vetëm për grekët dhe bullgarët, por edhe të gjithë njerëzit në rajon.

Ajo shprehu shpresën se mesazhi i bashkësisë ndërkombëtare, më në fund, do të dëgjohet dhe do të kuptohet nga qeveria e "vendit fqinj" (Maqedonia) dhe se ky vend do të vendosë të bashkohet me përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët të pranueshme nga të dyja palët, pa justifikime suplementare, shtyrje ose shmangie të vëmendjes. "Shpresoj se ky vend nuk do të shohë më nga e kaluara dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm që ai të ecë përpara drejt perspektivës së tij euroatlantike dhe evropiane me mbështetjen e fortë të Greqisë", theksoi Bakojanis, duke iu drejtuar hapur autoriteteve të larta të Maqedonisë.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, promovimin e librit "Çështja maqedonase dhe Bullgaria - dokumente sekrete (1950-1967)" e komentoi shkurt, duke theksuar se "identiteti maqedonas nuk varet nga promovime librash propagandistikë të sponsorizuar, por nga ndjenja e popullit maqedonas".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›