Doris Pak: Gjendja në B-H s‘ka qenë kurrë më e keqe
Gjendja në Bosnjë e Hercegovinë (B-H), që nga Marrëveshja e Dejtonit, nuk ka qenë kurrë më e keqe se sa sot, deklaroi ditët e fundit anëtarja e Parlamentit Evropian (PE) dhe shefja e delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Doris Pak, e cila sapo bëri një vizitë dyditëshe në B-H dhe është nismëtare e një rezolute që miratoi javën e kaluar PE-ja. Ajo bënte thirrje për forcimin e shtetit të B-H-së dhe për kryerjen sa më shpejt të reformave në vend. Pak, pas takimeve që zhvilloi në Sarajevë me autoritetet më të larta të vendit, deklaroi se ishte pesimiste lidhur me situatën që ekziston aktualisht në këtë vend. "Situata është më e rëndë nga sa e kisha menduar. Kam kohë që e ndjek nga afër B-H-në dhe gjendja këtu m‘u duk tani më e rëndë se sa më parë; nuk shoh dëshirë që të ecet përpara", i deklaroi Pak gazetës së përditshme boshnjake "Dnevni Avaz", duke shtuar se vendi duhet të ecë përpara.