GUTUM BRESHKA
1.
Kryetari i Bashkisë në Neza, një qyteti brenda megalopolisit të Meksikës, vendosi që efektivëve të policisë së qytetit t‘u jepej një listë e gjerë leximi. Do të fillonin me Don Kishotin, të vazhdonin me romanin "Pedro Paramo" të shkrimtarit meksikan Juan Rulfo, "Njëqind vjet vetmi" të G. G. Marquez dhe vepra të autorëve të tjerë, Carlos Fuentes, Antoine të Saint-Exupery, Agatha Christie dhe Edgar Allan Poe.
Shefi i policisë së këtij qyteti, Jorge Amador, shpjegoi më vonë se çka mëton të përfitojë nga kjo ndërmarrje. Së pari, shpjegoi ai, policët do të pasuronin fjalorin e tyre. Së dyti, do të fitonin nga përvojat e të tjerëve, të shpjeguara në letërsi. Dhe së treti, do të thellonin bindjet e policëve, meqë "ne shpresojmë se kontakti me letërsinë do t‘i bëjë oficerët tanë të policisë më të përkushtuar ndaj vlerave që janë zotuar se do t‘i mbrojnë".
Për James Woodin, autorin e këtyre rreshtave në librin e tij "Si funksionon fiksioni" (Farrar, Strauss and Giroux, New York, 2008), pasioni për romanin bashkëkohor ka një arsye fondamentale, e ai është, duke marrë hua citatin e George Elliotin në esenë e saj për realizmin gjerman, sepse "arti është gjëja më e afërt jetës; është mënyra se si e amplifikojmë përvojën tonë dhe zgjerojmë kontaktin tonë me njerëzimin përtej grupit tonë personal".
2.
Mendoja për këtë libër fascinant të njërit prej kritikëve më të mëdhenj letrarë botërorë, një rrëfim brilant për artin e të rrëfyerit, ndërsa kaloja prej njërit konstatim bazik (romani bashkëkohor, madje dhe reportazhi i luftës në gazetë fillon me artin e Flaubertit) në tjetrin (realizmi në roman mbisundon edhe sot, me idenë fillestare, se autori është një kamerë që incizon ambientin) dhe në një ide që m‘u duk sfiduese për këtë javë: a mund të më hyjë fare në punë Wood në një fushë paraletrare, fushë që ende nuk e ka mbërritur romanin? Si për shembull, në një tekst kënge roku dhe një mesazhi elektronik komik, që më mbërriti me internet.
Teksti është i grupit "Troja" dhe shtron pyetjen, se:
Jan do vjet që kan kalue nëper mue
Mrena n‘shpirt me forcë pom shtyn me than...
Kush jan kta njerz që s‘jan shkollue
Nuk kan msu që njeri nuk ban
Shpin e vet me vjedh
Jan do fjal qe nuk po muj me i than...
Jan kta njerz që kan teprue
Shumë kanë kushtu rrenat e tyne
Jan tum çu atje ku veten nuk muj ma me gjetë.
Mesazhi elektronik përshkruan në formë komike hapjen e një firme të re në Kosovë, që ofron shërbime të ndryshme, në tri kategori. E para, shtëpiake: "Fshim trosha, Vokum ujë, Rujm kafe mos m‘u derdh, Kqyrum filxhana, Shtim turshi, Qelum konzerva, Perkunum fmi, Kallxojmë prralla, Sjellum antena, Hjekum borë, Nxajna mi, Ajrosum dhoma, Mushum fjalekryqa, Qojm n‘mengjes per pune, Shetitum qe, Lajna maca, Vjedhum struj". E dyta, shërbime urbane: Shtym kerr, Nimojm me kput rrugen, Presum n‘ren, Livdojme gjin, Bajna tima, Majna qadra, Zajm parkingje, Marrum rroga, Nimojm me ik, Kallxojm shpija"
Dhe, e treta, shërbime rurale, për të cilat do të bëhet fjalë më vonë.
Dhe, nëse marrim, në formë fare të thjeshtësuar, citatet e deritanishme të Woodit, pra që rrëfimi artistik na shërben si zgjerim i përvojës sonë, pra i të kuptuarit të përvojës të të tjerëve, se kjo përvojë ka nevojë për një rrëfim realist dhe se ai mbështetet fillimisht në incizim të gjendjes, atëherë ndoshta (po e projektojmë në mundësi metafore) "Troja" dhe shkruesi i e-mailit komik flasin për një realitet të ri. Për atë të një elite të re, e cila ka një sistem të ri vlerash morale ("kush janë këta…) dhe që mund të jenë ose janë prodhim e përfaqësues të një konteksti kulturor ("Vjedhum strujë, zajm parkingje, kallxojmë shpija").
3.
Çka do të mund të kualifikonte ose parakualifikonte për letërsi ndonjë element të e-mailit komik?
Gjeta tri aluzione te Woodi.
Më 1985, bjeshkatari Joe Simpson theu këmbën në Ande dhe ndërsa mbahej zvarrë nga litarët, u braktis deri në vdekje nga kolegu i tij bjeshkatar. Ndërsa po i kalonte momentet e fundit të jetës, i sillej në kokë një këngë e grupit "Boney M", me titull "Brown Girl in the ring", një këngë që nuk e kishte dashur kurrë dhe që i sillte neveri, posaçërisht duke menduar se po vdiste mu me këtë melodi në kokë.
Pastaj, më 28 mars 1941, kur Virginia Wolf kishte vendosur ta vriste veten duke mbushur xhepat e saj me gurë e hedhur në lumë, bashkëshorti i saj Leonard Wolf kishte shënuar në ditarin e tij, të cilin e mbante me përpikëri, motin, gjendjen e kilometrazhit në veturë dhe faktin se Virginia kishte mbytur veten. Biografja e Leonardit do të konstatojë se hyrja e asaj dite në ditar kishte një njollë, e vetmja në të gjithë ditarët e mbajtur nga ai, që mund të ketë qenë e lotit.
Dhe, më 1960, në debatin televiziv mes kandidatëve Nixon dhe Kennedy do të fitojë Kennedy, me interpretimin medial se imazhi i tij i një kandidati të ri, të pashëm e të rrezitur kontrastonte dukshëm me fytyrën e lodhur e të djersitur të Nixonit. Në letërsi, efekti i krahasimit i kishte ndodhur Ana Kareninës, e cila pasi ishte takuar me Vronskin, në trenin prej Moskës për në Shën Petersburg, e sheh me një kënd të ri bashkëshortin e saj. Ende e freskët me imazhin e Vronskit, sapo e zbritur nga treni, do ta shohë bashkëshortin e saj dhe do të klithë më vete: "O Zot, pse i janë bërë ashtu veshët?".
Përkushtimi ndaj detajit, thotë Wood, është ajo që i bashkon këto tri raste. Kënga e "Boney M", njolla e ditarit dhe veshët e kontit Karenin janë hollësi që dallojnë.
Disi kështu ndjeva në të lexuar ofertën e tretë të shërbimeve të e-mailit komik, të atyre në fshat. Në mesin e "Rujna dhi, mjelum lop, njellum pula, horrum gardhe, tremum sokola, perlajme knojsi, shkunum kumlla", ishte edhe një aktivitet që do ta kandidoja si një detaj për letërsi. Ishte fjala për "gutum breshka", d.m.th. nxitje e breshkave që të ecin më shpejt.
Metaforën, pa të cilën letërsia nuk bën, për "gutum breshka", as që duhet kërkuar. Vetë fakti se ekziston një aktivitet i tillë, i cili merr kohën e një grupi njerëzish me një sistem vlerash të caktuara kulturore dhe e ka përshkrimin e vet nominal me "gutum breshka", është metaforë për atë shoqëri, si tërësi.
4.
Ftesë autorëve letrarë: "Gutum breshka" ende nuk ka personazhe të krijuara e as dilema fondamentale morale.
Ende i mungon personazhi i një rrëfimi të Maupassantit, të cilin romancierët Ford dhe Conrad e adhuronin: "Ai ishte një xhentëlmen me cullufe të kuqe, që hynte gjithnjë i pari në portë" (komenti i Fordit: "Ky personazh është aq i përshkruar sa që nuk ke më shumë nevojë fjalësh për të kuptuar se si do të sillet më tutje").
Dhe, rrjedhimisht, ende i mungon dilema e madhe morale e personazhit, që e bën letërsinë, të madhe. Ende, siç do të thoshte Çehovi, nuk është në gjendje, të shtrojë pyetjet kyçe, e lëre më të merret me dhënien e përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, se kjo nuk është punë e letërsisë.
"Gutum breshka", qartazi nuk është letërsi. Për shumëkënd mund të jetë reflektim komik. I realitetit.
5.
Ndonëse ka qenë nevoja që të jepen shpjegime më të hollësishme për aktivitetet e "firmës së re", e që së paku të vendosen në një shqipe të kuptueshme për shumicën që e ka këtë gjuhë amtare, ndoshta është mirë që kanë munguar.
Së pari, sepse ilustrojnë një distancë kulturore, e cila është fenomen shoqëror i Kosovës së sotme, si në marrëdhëniet e brendshme kosovare, ashtu edhe në marrëdhëniet kulturore brendashqiptare.
Së dyti, sepse kjo distancë kulturore ka krijuar një fenomen të ri të elitës së re kosovare apo të një pjese të saj, atë të përzierjes së dy diskurseve njëkohësisht. Në njërin, publik, bëhet elaborimi zyrtar në një gjuhë të pranueshme shqipe (ndonëse me shkarje të aty-këtushme, si p.sh. "Mbjellum fidanë") të një sistemi vlerash ku dominojnë fjalët e korrektësisë politike, të integrimeve euroatlantike, të drejtave minoritare etj. Në tjetrin, atë jopublik, diskursi mbështetet në masë të madhe në sfondin kulturor "gutum breshka".
Në të ardhmen do të testohet njëra prej teorive të kritikut të madh francez, Barthesit, atë të modës romake të flokëve. Në "Mytologies" ai shpjegon se në filmat holivudianë për Romën, flokët e prera në stilin e kurorës së dafinave janë një "iluzion referencial", d.m.th. se kanë aq autenticitet vetëm sa për të na bindur, ne shikuesve, se po shikojmë një film për Romën antike.
Do të jetë interesant të shihet se cili prej diskurseve ishte moda romake, gjegjësisht "iluzioni referencial", ai modernist euroatlantik apo ai i "gutjes së breshkave".
Deri atëherë, ndoshta edhe realiteti do të hyjë në letërsi.