Zv/presidenti amerikan, vizitë në Kosovë
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë muajit maj, do të qëndrojë në Kosovë. Vizita e tij në Prishtinë do të jetë pjesë e një turneu në rajon që do të fillojë më 18 maj. Përveç Kosovës, zoti Biden do të qëndrojë edhe në Serbi dhe në Bosnjë. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se zëvendëspresidenti Biden do të takojë lidershipin politik në tre vendet, si dhe zyrtarët e SHBA-së dhe personelin ushtarak në rajon. Kjo do të jetë vizita e parë e Joe Biden në Kosovë, që kur ai mori postin e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara. Për herë të fundit, zoti Biden ishte në Kosovë në vitin 2001, në cilësinë e kryesuesit të Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan. Ai është i njohur si përkrahës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, madje edhe në kohën kur ky nuk paraqiste qëndrimin zyrtar të Uashingtonit.