E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis sot në Tiranë, në qendër integrimi i Shqipërisë



Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, do të mbërrijë sot në Tiranë në cilësinë e kryesueses së radhës së OSBE-së, ku pritet të takohet me krerët e shtetit shqiptar. Shefja e diplomacisë greke do të nisë takimet me homologun e saj shqiptar, Lulzim Basha, ku në qendër të bisedimeve do të jenë reformat e Shqipërisë, por edhe shumë pika të rëndësishme, që lidhen me integrimin euroatlantik të vendit tonë. Në prag të kësaj vizite, ministrja e Jashtme greke ka publikuar një njoftim, ku thuhet se ajo do të diskutojë të gjitha temat që lidhen me integrimin e Shqipërisë. “Subjekti kryesor i bisedimeve të ministres do të jetë progresi i Shqipërisë në zbatimin e programeve të OSBE-së, që bëhen në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, siç janë reforma legjislative, regjistrimi i pronave dhe mbrojtja e të drejtës së pronës”, - thuhet në këtë njoftim zyrtar. Në qendër të bisedimeve do të jetë edhe çështja e zgjedhjeve parlamentare të qershorit në Shqipëri, ku OSBE do të jetë prezente me vëzhguesit e saj në këtë proces. Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe nga të dyja shtetet fqinje, është deklaruar se ato ndodhen në kulmin e tyre. Vetëm pak ditë më parë, në vizitën e saj në Kosovë, ministrja Bakojanis konfirmoi këto marrëdhënie të mira, duke dhënë premtimin e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Nuk kemi ndonjë problem me Shqipërinë. Do ta ratifikojmë marrëveshjen në Parlament siç e kemi ratifikuar marrëveshjen evropiane dhe nuk shoh ndonjë problem”, - tha Bakojanis në Prishtinë gjatë konferencës për shtyp. Në takimin me ministrin Basha, pritet të diskutohen më gjerësisht të gjitha temat që lidhin Shqipërinë në marrëdhëniet me OSBE-në, por do të diskutohen edhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve fqinje. Një tjetër aspekt i bisedimeve do të jenë edhe reformat e Shqipërisë për integrimin euroatlantik. Shqipëria pritet të bëhet pjesë e NATO-s me të drejta të plota në samitin e muajit prill në Strasburg. Thellimi i reformave ka të bëjë edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në vizitën zyrtare në Tiranë, Bakojanis do të takohet edhe me Kryeministrin Sali Berisha, si dhe me Presidentin Bamir Topi. Shefja e diplomacisë greke pritet të bisedojë me Kryeministrin dhe Presidentin shqiptar, të ardhmen e Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Shqiptarët me prona në Greqi: Na lehtësoni lëvizjen

Shoqata e Shqiptarëve me Prona në Greqi ka kërkuar dje gjatë një konference për shtyp, që shteti grek të lehtësojë procedurat e vizave për shqiptarët, që pretendojnë se kanë prona të pamarra në shtetin fqinj. Drejtuesit e kësaj shoqate deklaruar se çështja e vizave ka qenë një problem, që i ka detyruar ata të mos udhëtojnë në shtetin helen për të kërkuar të drejtën e tyre. “Lehtësimi i procedurave të vizave të qytetarëve shqiptarë, që pretendojnë pronat në Greqi, është një nga barrierat themelore ligjore që qeveria greke duhet të heqë, që t’i lejoje ata të nisin procedurat në lidhje me pretendimet e pronësisë para institucioneve greke”, - deklaroi përfaqësuesi i kësaj shoqate, Agim Koçillari. Deklarata e kësaj shoqate vjen pikërisht një ditë para vizitës së ministres së Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis. Ata kërkuan që çështja e tyre të merret parasysh në bisedimet dypalëshe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›