E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri informoi detajet e takimeve në SHBA



Kryeministri Sali Berisha dha dje gjatë një konference për shtyp detajet e takimeve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhej i ftuar në “Mëngjesin e Lutjeve”. Kreu i qeverisë tha se në këtë ceremoni të veçantë, ai u lut që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai u shpreh i bindur se një gjë e tillë ka për të ndodhur. Kryeministri tha se edhe zgjedhjet e vitit 2007 u zhvilluan korrektësisht, por pati vetëm probleme të vogla teknike. Ndërkaq garantoi se zgjedhjet e qershorit do të kenë çdo gjë gati, për të garantuar një proces tërësisht të lirë dhe të ndershëm. “Në këto zgjedhje do të hyjmë me kushtet më optimale. Këto do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se kush do fitojë do ta përcaktojnë qytetarët shqiptarë”, - tha Kryeministri, i cili shtoi se “vizita në SHBA është shndërruar në vullnet për thellimin e reformave”.

Takimet

Kreu i qeverisë informoi se pati takime me figurat më të larta të SHBA-së. Ai tha se ishte Kryeministri i parë që takoi sekretaren e Shtetit, Klinton, dhe një gjë të tillë, Berisha tha se e “shkrova te libri i përshtypjeve”. Berisha siguroi se sekretarja Klinton do ta vizitojë Shqipërinë. Kryeministri informoi se me sekretaren Klinton bisedoi të gjitha reformat e realizuara në Shqipëri, që sipas tij, ajo ishte mjaft e informuar mbi zhvillimet në vendin tonë. Ai shtoi se pati një takim domethënës me zëvendëspresidentin Biden, të cilin e falënderoi për mbështetjen e SHBA-së për Shqipërinë. Kreu i qeverisë tha se e ftoi zëvendëspresidentin Biden të vizitojë Shqipërinë, një ftesë të cilën ai, sipas Berishës, nuk e refuzoi. Por Kryeministri Berisha informoi se pati takime me dhjetëra senatorë dhe kongresmenë, mes tyre ish-kandidatin për President, John McCain, të cilin e falënderoi për mbështetjen për shqiptarët. Takime u bënë edhe me senatorë të tjerë, si republikanin Riçard Lugar, por edhe me shumë kongresmenë të tjerë. Kryeministri zhvilloi takime edhe me Donald Ramsfend, si dhe me ish-sekretarin e Shtetit, Kolin Pauell.

Për ligjin e lustracionit

I pyetur nga media në lidhje me ligjin e dosjeve, Kryeministri tha se deklarata e Departamentit të Shtetit është e qartë. “Unë mund t’ju siguroj se në ekspozenë time për krimet kundër njerëzimit të sistemit komunist, krijova përshtypjen se njohuritë e Sekretares së Shtetit ishin të atilla sa nuk i thashë ndonjë gjë të re. Dhe ne u ndamë me një mirëkuptim dhe unë i qëndroj angazhimeve të mia, të bëra publike nga ai takim. Për çështjen e afatit i takon Parlamentit ta ndjekë”, - tha Berisha. Njëkohësisht Kryeministri foli edhe mbi një kërkesë të mundshme për transferimit e të burgosurve nga Guatanamo në Shqipëri. Ai e mohoi një kërkesë të tillë, por tha se në rast se vjen, do të shqyrtohet me seriozitet nga qeveria shqiptare. “Në këtë kontekst e përshëndes vendimin e Presidentit Obama për ta mbyllur atë. Nuk ka një kërkesë nga qeveria e SHBA-së për të marrë të burgosur, por ju siguroj që në rast se do të ketë një kërkesë, ajo do të shqyrtohet me seriozitetin më të madh”, - tha ai.

Me Bankën Botërore

Kreu i ekzekutivit tha se gjatë vizitës në SHBA u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Shigeo Katsu, të cili i kërkoi një hetim mbi planin e zhvillimit të bregdetit. “Shpreha mospajtimin tim me shpifjet e trillimet e paskrupullta të atij që quhet raport indipendent, - tha Berisha, - por që në fakt është diktuar nga fryma e mafies së ndërtimit në Shqipëri, apo më gjerë, i cili i atribuon qeverisë sime pikërisht ato që kishte bërë qeveria e mëparshme. Mafia e ndërtimit në Shqipëri kishte përcaktuar foletë e parajsës së saj në Jalë, Gjipe, Palasë e kudo. Por kjo mori fund. Projekti i ri ia dorëzon të gjithë bregun autoriteteve lokale”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka vepruar me korrektësi të plotë, ka zbatuar në frymë dhe në germë çdo gjë të marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore. Për këtë çështje, Banka Botërore ka një problem të madh të brendshëm, sepse aty përballen dy qëndrime: një qëndrim ky që është ndjekur e zbatuar me Shqipërinë dhe një qëndrim tjetër që është problem i bankës dhe jo i yni.

Kryeministri theksoi se ka kërkuar hetim për të mësuar se cili ka qenë ndikimi i atyre që humbën Jalën, që e kishin paraqitur në tregun botëror si feudin e tyre, të atyre që humbën Borshin, që ia kishin servirur kompanive botërore si çifligun e tyre, apo Ksamilin. Kjo është e vërteta. “Ne i fshimë ato dhe kjo është meritë e planit që bëri vetë Banka Botërore me qeverinë shqiptare, një plan i paprecedentë ndonjëherë. Autoritetet qendrore nuk vendosin njolla zhvillimi, gjithçka i lihet komunitetit lokal për zhvillim”, - shpjegoi Berisha. “Zëvendëspresidenti Shigeo Katsu, drejtori që përfaqëson Shqipërinë në Bordin e Bankës Botërore, Majnoni, më siguruan se të gjitha këto do t’i paraqesin në mbledhjen e bordit”, - tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›