E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, fushatë me nanoistët kundër Ramës



Në korrik të 2005-s, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e vetme dhe fushata e saj elektorale u përqendrua jo vetëm kundër së djathtës, por në veçanti dhe mjaft e ashpër kundër Fatos Nanos, që drejtonte Partinë Socialiste. Sot, në prag të çeljes së fushatës elektorale, e vetmja gjë e përbashkët me 2005 është vetë Ilir Meta dhe ndarja midis dy partive. Koha dhe prapaskenat mes Ramës dhe Metës, për të dëmtuar njëri-tjetrin, i kanë dhënë mundësi kreut të LSI-së që të reflektojë dhe të zbusë marrëdhëniet me rivalët e 2005-s. Që prej shkurtit të 2007-s e deri më dje, partisë së Metës i janë bashkuar shumë mbështetës të ish-kryetarit socialist. Së fundmi dje në Durrës, në një takim me gratë e këtij qyteti, u bashkua edhe ish-kryetari i bashkisë, Lefter Koka. Mund të konsiderohet një aleancë e pashkruar, por situatat politike dhe me ndihmën e kryesocialistit Rama, ish-rivalët janë bërë miq. Më i dëmtuari në pamje të parë duket se është Rama, pasi u ka dhënë një arsye të fortë mbështetësve të paraardhësit të tij, që të shkojnë drejt LSI-së. Pavarësisht se sa janë në numër, e meqë dy partitë hyjnë në zgjedhje të ndara, PS-ja mund të ketë pasojat e para gjatë fushatës dhe në rezultat.

Bashkimi

Për të justifikuar këtë afrim, pasi Koka njihet si mik dhe mbështetës i ish-Kryeministrit, rivalit të fortë të Ilir Metës dikur në parti dhe pastaj brenda së majtës, sqaroi arsyet e afrimit të tij në radhët e LSI-së. Arsyet e Metës u paraprijnë akuzave apo sulmeve të kundërshtarëve të tij në selinë rozë. “Kur Rama dhe Berisha bashkohen për të prishur Kushtetutën, si të mos bashkohem unë me Lefter Kokën?! Si mund të mos bashkohem unë me Lefterin, kur këta prishin Sport-Klub Partizanin dhe Klubin Dinamo, për të bërë atje një qytet betoni? Si të mos bashkohemi ne kundër kësaj aleance hipokrite dhe korruptive?”, - tha Meta. E duke vijuar në arsyetimin e tij, Meta tha se LSI mbetet një forcë e hapur, edhe pse bëhet fjalë për përplasje në të shkuarën. “Si shpjegohet që Lefter Koka po bashkohet me LSI-në, se ju keni pasur edhe debate në të kaluarën? Unë dua t’ju përgjigjem se LSI është një forcë politike e hapur që lindi si nevojë për një përfaqësim sa më të gjerë dhe sa më të hapur dhe për fat të keq, si rezultat i ngushtimit të atyre hapësirave në PS-në e asaj kohe”, - deklaroi Meta. Më tej, ai lë të nënkuptojë që ky është një proces që do vazhdojë gjatë deri në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërsa ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka, u shpreh se LSI është forca politike që luan sot rolin kryesor në opozitën shqiptare. Koka u shpreh se ka vendosur t’i bashkëngjitet LSI, duke e konsideruar këtë, të majtën e vërtetë dhe alternativë gjithëpërfshirëse për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza. Mësohet se Koka do të luajë një rol të rëndësishëm të fushatës së LSI-së në qarkun e Durrësit. Edhe pse kreu i LSI-së është munduar të sqarojë arsyet e këtij bashkimi, mbetet ende në pikëpyetje mendimi dhe qëndrimi i ish-Kryeministrit Fatos Nanos, pasi njerëzit që e kanë mbështetur mjaft, tani ndodhen në radhët e LSI-së. Luan Rama, Ylli Dylgjeri, Lefter Koka, por edhe shumë figura socialiste në bazë i janë bashkuar partisë së Metës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›