DPAC: Kosova nuk u përjashtua nga konferenca
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil reagoi dje pas një lajmi të publikuar, sipas të cilit, flamuri kosovar ishte hequr nga një konferencë ku u diskutua për aviacionin rajonal. “Strukturat e Aviacionit Civil të vendeve që nuk janë pjesë e BE-së diskutuan për rrugët e integrimit në aviacionin civil evropian në Tiranë, ku merrte pjesë edhe përfaqësia e shtetit të Kosovës, e cila për herë të parë mbajti fjalën me të drejta të barabarta si Serbia, e cila kërkoi mospranimin e Kosovës. Ndërhyrja e DPAC të Shqipërisë mundësoi që Kosova të qëndronte sikurse ishte planifikuar”, - thuhet në këtë njoftim. Në këtë deklaratë thuhej njëkohësisht se ky takim nuk zhvillohej nga DPAC, por nga organizma të tjera. “Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil propozuan pjesëmarrjen e Kosovës, e miratuar nga organizatorët. DPAC nuk mund të ketë dhe nuk kishte të drejtë të ftonte pa leje ndonjë organizëm tjetër të ngjashëm, sikurse ishte autoritetet i Kosovës, sepse veprimtaria organizohej nga JAA dhe EASA. DPAC thotë se ishin vetëm mikpritës të konferencës dhe se nuk kanë lidhje me ndonjë incident për “heqjen” e flamurit të Republikës së Kosovës, sidomos pasi Kosova nuk është anëtare e organizmit, ndaj me rëndësi ka qenë pjesëmarrja e saj. Problemi ishte mes përfaqësuesve të Kosovës dhe drejtuesit të mbledhjes Andre Auer, nga kryesia e JAA-së që është Autoriteti i Përbashkët i Aviacionit Civil, pikërisht struktura që ftoi Kosovën”, - thuhet në njoftimin e plotë.