Bogdani: Rama, censurë mediave të blera prej tij
Partia Demokratike akuzoi dje kreun e Partisë Socialiste se po censuron mediat e blera prej tij. Deklarata e Bogdanit ka marrë shkas, pasi një pjesë e gazetave nuk kanë botuar dje tërësisht përgënjeshtrimin e Ministrisë së Transporteve dhe Partisë Demokratike, ndaj akuzave të Braçes "Për abuzime me fondet e asfaltimit të rrugës së Gjirit të Lalzit në Durrës". Bogdani shprehet se “një gjë e tillë dëshmon intolerancë totale ndaj informacionit të vërtetë dhe kontroll absolut të mediave, të blera me leje ndërtimi apo lista deputetësh". Sipas tij, "censura e plotë e informacioneve të vërteta dhe shndërrimi i tyre në zëdhënëse të mashtrimeve të tij, është standardi mediatik i Edi Ramës, i shndërruar tashme në 2 Braçe burrë". Dy ditë më parë, nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, hodhi akuza mbi qeverinë për të treguar vonesat dhe cilësinë e punimeve që po vërehen në përfundimin e segmenteve rrugore të caktuara. Pas këtyre deklaratave të Braçes, reagoi PD-ja dhe MPTT-ja duke përgënjeshtruar deklaratat e tij. Në reagimin e PD-së të dy ditëve më parë, zëdhënësi i kësaj partie, Gerti Bogdani, i sugjeroi kryetarit të PS-së që të bëjë udhëtim turistik në Jug dhe të shohë rrugët e reja.