SHBA, në kërkim 21-vjeçari shqiptar për vrasje
Agjentët amerikanë janë në kërkim të një 21-vjeçari shqiptar, i cili akuzohet për vrasjen e një të moshuare 85-vjeçare. Sipas mediave amerikane, ai e qëlloi viktimën 37 herë me thikë, duke i marrë asaj jetën, si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së gjakut. Ngjarja ka dy muaj që ka ndodhur, ndërkohë që ende nuk është arritur që të vihet përpara drejtësisë autori i saj. Vrasja ndodhi në shtëpinë e të moshuarës. Policia ka si të dyshuar kryesor 21-vjeçarin Ervis Meçollari. Për ta vënë atë përpara drejtësisë, u nis nga Waterbury edhe një grup oficerësh, i cili udhëtoi për në Shqipëri në fund të janarit, por pa arritur që ta vërë atë në pranga. Trupi i të moshuarës u gjet në kuzhinën e shtëpisë së saj, i mbuluar nga gjaku, më 20 dhjetor të vitit 2008. Ajo kishte plagë të shumta të marra në trup, pasi ishte goditur nga agresori i saj 37 herë me thikë.