Bala: Krenarë për këtë Tiranë, askush sna ndal dot
Një pikë në Shkodër nuk është pak, por unë jam i bindur se do të bëjmë dy fitore radhazi, në kupë me Shkumbinin, pastaj me Bylisin
Golashënuesi më i mirë i skuadrës së Tiranës momentalisht, Bekim Bala, pas barazimit në Shkodër, ka besim se duke filluar qysh këtë javë skuadra e tij do ta tregojë veten dhe do të rikthehet te fitorja. Balën, edhe pse nuk ka shënuar në ndeshjet e fundit, e gëzon fakti që Tirana po bind në lojë dhe me rezultate pozitive si në shtëpi ashtu edhe në transfertë ndaj rivalëve si Kastrioti apo Vllaznia. Në një prononcim dhënë enkas për Sportin shqiptar, sulmuesi i 24 herë kampionëve ka pohuar:
Ne shkuam për të fituar në Shkodër, megjithatë për mënyrën se si shkoi loja më vjen mirë që dolëm nga fusha me një pikë. Të mos harrojmë që përballë kishim Vllazninë, që është djepi i futbollit shqiptar dhe me shumë kualitete brenda.
Mund të kishim fituar, por edhe mund të humbisnim në fund, por fatmirësisht morëm një rezultat pozitiv, i cili na e shton më shumë oreksin për vazhdimësinë e kampionatit. Ne duhet ti vlerësojmë të gjitha ndeshjet ashtu siç kemi bërë deri më tani, sepse është e vetmja mënyrë për të gabuar sa më pak gjatë garës, – u shpreh golashënuesi më i mirë i bardhebluve momentalisht, Bekim Bala.
Kreu Dje, Tirana ka bërë rokadë me Teutën për vendin e parë. Durrsakët, pas fitores në transfertë ndaj Apolonisë, janë ngjitur në kuotën e 12 pikëve, ndërsa bardheblutë morën një pikë në Loro Boriçi dhe tashmë e shohin veten të dytët. Lidhur me luftën e vendit të parë, ku konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e fortë javë pas jave, Bala shtoi:
Gjithmonë në prononcimet e mia, kam thënë që është shumë shpejt të flasim për titullin. Lufta është e hapur dhe rivalët po shtohen. Fitoj Teuta në Fier dhe u ngjit në krye, ndërsa ne jemi të dytët. Megjithatë, unë do të thoja se qesh mirë ai që do të qesh në fund, sepse ne atëherë do ti bëjmë llogaritë tonë. Unë ju garantoj se shumë shpejt do të jemi në krye, por këtë herë për të mos e lëshuar më deri në fund vendin e parë.
Kupa Ashtu si në kampionat, edhe kupa është një objektiv që ne duhet ta realizojmë. Në mesjavë presim në shtëpi Shkumbinin, kështu që mendoj se duhet të fitojmë patjetër, sepse tri pikët me peqinasit me Shkumbinin do të na shërbejnë si një antipastë për ndeshjen e fundjavës me Bylisin në kampionat. Qysh sot ne do të mendojmë për ta kaluar me sukses sfidën me peqinasit.
Bylisi Ballshiotët janë forcuar shumë këtë sezon, janë një skuadër surprizë që kanë luajtur fort edhe në transfertë, por për ne ska rrugë tjetër veç fitores. Do të marrim tri pikët ndaj Bylisit, sepse luajmë në Qemal Stafa dhe këtu nuk duhet që të falim asnjë kundërshtar, ashtu siç kemi bërë deri më tani edhe ndaj Pogradecit e Flamurtarit, – tha në mbyllje të prononcimit të tij për gazetën sulmuesi shkodran i bardhebluve, Bekim Bala.
