E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo: Barazimi me Kamzën ishte një katastrofë!

Nga LEONARD TREBICKA

Presidenti i korçarëve deklaron nga Vjena se skuadrës i mungon përgatitja fizike, por nuk di kujt tia hedhë fajin në këtë moment

Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, nuk po buzëqesh një herë në këto 5 javë të para të kësaj superlige, pasi skuadra e tij, ose ndryshe kampionët e vendit, edhe pas kësaj jave vazhdojnë ta shikojnë veten në vendin e 10-të, një vend që nuk kishte aspak lidhje me objektivat e Skënderbeut përpara fillimit të kampionatit.

Pas barazimit të fundit ndaj Kamzës, presidenti Zeqo, së bashku me zëvendësin Ardian Takaj, janë futur në dhomën e trajnerit Stanislav Levi, duke biseduar gjatë për gjendjen e ekipit, por kryesisht për të mësuar edhe konkluzionet se si e ka parë trajneri i ri ekipin kampion.

Dhe pa dyshim që mësohet se edhe fjalët e Levit nuk kanë qenë me nota pzitive për gjendjen që ka kaluar Skënderbeu deri tani, ndërkohë që akoma nuk po duket se po gjendet fajtori, ose të vihen pikat mbi i se cili është faktori kryesor që ka bërë që korçarët të kenë vetëm 6 pikë në 5 javë.

Presidenti Pas barazimit tjetër drithërues në shtëpi, presidenti Zeqo u largua menjëherë drejt kryeqytetit, ndërkohë që dje për punët e tij private ka udhëtuar drejt Vjenës, atje ku në orët e pasdites i kontaktuar nga gazeta Sporti shqiptar, me plot gojë e ka quajtur barazimin e fundit ndaj Kamzës një katastrofë.

Nuk di çfarë të them, pasi unë, ose ne, që e shikojmë ndeshjen nga jashtë fushës, mund të deklaroj se këtij Skënderbeu i mungon kontigjenti fizik dhe ky është një fakt që duket më së miri në fushën e lojës. Bëjmë volum loje, qarkullojmë topin, por nuk jemi aspak agresivë përpara portës kundërshtare. Çfarë mund të them unë si president më shumë se ky barazim i fundit ishte një katastrofë?

Sido që të rridhnin ngjarjet, ne nuk na falej ky barazim, aq më tepër ndaj Kamzës, ndërkohë që vërtetova edhe diçka tjetër, që të gjitha ekipet e vogla, sa herë vijnë në Korçë, na mbyllen prapa dhe qenka vërtet e vështirë për ti çarë. Bisedova pas ndeshjes edhe me trajneri Levi, i cili më dha të njëjtin konkluzion, ku kontigjenti fizik i mungon krejtësisht këtij ekipi. Nuk mund të them unë se kush është fajtori, pasi unë kam vetëm detyrën të financoj, ndërsa për këtë gjendje të ekipit tim nuk më vjen aspak mirë, pohon numri një i klubit korçar.

Sulmi Presidenti i korçarëve dje nga Vjena ka folur edhe për mungesën e golave për Skënderbeun e tij në këto 5 javë të para, teksa kuqebardhët kanë shënuar vetëm 4 gola. Nuk ka mundësi që Xhafaj dhe Muzaka të mos shënojnë dot në këto javë, pasi ata janë sulmuesit më të mirë në Shqipëri. Edhe unë nuk e besoj që ata të mos shënojnë akoma, por jam i bindur që do të kthehen, sepse e theksova edhe më lart, që nuk ka mundësi.

Shumë shpejt kemi për të shijuar gola nga këta lojtarë dhe unë këtë e deklaroj jo se duhet të jem optimist, por sepse ky është realiteti, që sulmi i Skënderbeut ka vuajtur shumë deri tani, por nuk ka për të vuajtur në javët në vazhdim.

Nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm të pres kthesën e Skënderbeut dhe shyqyr që, përveç Teutës, të gjitha skuadrat e tjera kanë gabuar dhe nuk kanë pikët maksimale, sepse po të kishin pikët maksimale, atëherë kot që mendonim titullin qysh në këtë moment, – mbyll prononcimin e tij të djeshëm nga Austria presidenti i korçarëve, Agim Zeqo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›