Sakaj: Nuk dorëzohet Flamurtari se humbi një ndeshje
Kapitenit vlonjat i vjen keq që ekipi u ndëshkua në atë mënyrë, por pretendimet e kuqezinjve nuk ndryshojnë pas kësaj
Kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj, vijon të qëndrojë në të njëjtën linjë me fjalët e trajnerit apo edhe të futbollistëve të tjerë se Flamurtari në Durrës nuk e meritonte të humbiste, madje sipas tij, ekipi vlonjat nuk meritonte as barazimin, por vetëm fitoren. Të vjen keq që në një ndeshje të komanduar totalisht, pothuajse gjatë gjithë 90 minutave, të dalësh pa asnjë pikë.
Mendoj se e kemi merituar të fitonim, por ky është futbolli, ndaj është edhe loja që aq shumë pëlqehet nga të gjithë. Jemi të mërzitur për faktin se nuk e meritonin këtë ndëshkim, pasi vetëm këtë fjalë mund të gjej në këto momente për humbjen në Durrës, megjithatë më duhet të pranoj se Flamurtari ka nisur të tregojë qartë se çfarë ekipi do të jetë këtë sezon, thekson kapiteni vlonjat.
Objektivat Një humbje nuk ndryshon asgjë për objektivat e ekipit për këtë sezon futbollistik, pasi janë luajtur veç dy ndeshje dhe kampionati është shumë i gjatë. Nuk dua këtu të justifikoj apo të qajmë humbjen në Durrës, por thjesht të pranojmë atë që dha verdikti i fushës në ndeshjen e së shtunës. Teuta mori tri pikët dhe për këtë e përgëzojmë. Ajo që duhet të mendojmë ne është ndeshja e radhës. Kastrioti është kundërshtari i radhës dhe nuk është aspak i lehtë.
Është një nga ekipet që është përforcuar ndjeshëm dhe natyrisht i ka shtuar bukurië kampionatit, ashtu si edhe shumë ekipe të tjera, por ne kërkojmë të largojmë sa më parë humbjen ndaj Teutës. Fitorja mbetet objektivi ynë për këtë përballje. Kujtojmë që Kastrioti mund të quhet rival dhe duke e menduar edhe ne, atëherë e lëmë disi prapa dhe shohim betejat me rivalët e tjerë, vijon më tej mbrojtësi Sakaj.
Kalendari Megjithatë, kjo javë do të jetë disi më e ngarkuar për të gjithë, pasi në mesjavë luajmë për kupë dhe më pas në fundjavë për kampionat. Vërtet do të udhëtojmë në Bilisht dhe ndoshta ndikon, por kalendari është i njëjtë për të gjithë, kështu që neve na duhet të ulim kokën dhe luajmë njësoj në dy frontet.
Nuk e di kush do të luajë në ndeshjen e kupës, por sigurisht që më shumë hapësira do të kenë të rinjtë dhe ata që nuk janë aktivizuar shumë. Ndërsa ndaj Kastriotit në fundjavë do të jetë një tjetër Flamurtar. Për lojën po, patjetër, por ndryshimi do të jetë edhe në rezultat, ku llogaritet vetëm fitorja. Ne e treguam se dimë të zhvillojmë futboll të bukur, por këtë radhë do ta shoqërojmë me një fitore, – përfundon kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj.
Në Kavajë ose Lushnjë për Flamurtari-Kastrioti
Vlonjatët do të luajnë sërish larg Vlorës në ndeshjen e kampionatit. Nga 4 ndeshje që është e dënuar fusha e Flamurtarit, vetëm një është shlyer, duke udhëtuar në Gjirokastër për ndeshjen hapëse me Kamzën. Duket se edhe për ndeshje e javës së tretë për Flamurtarin do të qëndrojë në fuqi dënimi i FSHF-së, pavarësisht kërkesës në apel apo edhe mundësisë që kanë kërkuar vlonjatët për të paguar dënimin e mbetur.
Ndaj Kastriotit, Flamurtari do të kërkojë sërish një fushë asnjanëse për të luajtur ndeshjen. Por këtë radhë sportdashësit vlonjatë kanë kërkuar të mos zhvillohet shumë larg Vlorës. Në Kavajë apo Lushnjë janë opsionet e menduara deri më tani nga drejtues të ekipit vlonjat për ndeshjen e javës së tretë Flamurtari-Kastrioti.
