E Diel, 1 Nëntor 2026

Bala: Tani fillon malorja për Tiranën, por mos humbim kreun

Nga ERJON SALIU

Sulmuesi i bardhebluve e parashikon të vështirë vijimin e garës. Sipas tij, ekipi ka nevojë për përqendrim, sepse gara po bëhet e ashpër

Tirana tashmë është përqendruar vetëm te ndeshja e radhës, transferta me Vllazninë, që do të zhvillohet ditën e shtunë në Loro Boriçi. Sulmuesi i bardhebluve, Bekim Bala, këtë javë pritet që të luajë në Loro Boriçi, aty ku doli dhe u spikat si talent me skuadrën shkodrane,  por në këtë përballje do të mbajë veshur fanellën e Tiranës. Vetë Bala ka nostalgji për tifozerinë shkodrane dhe Vllazninë, të cilën pavarësisht momentit jo të mirë që po kalon, e quan pretendente për titull.

Në një prononcim ekskluziv dhënë enkas për Sportin shqiptar, golashënuesi më i mirë i Tiranës deri më tani ka theksuar: Ne jemi në një moment të mirë, falë rezultateve pozitive që kemi marrë në tri javët e fundit, duke fituar edhe me rivalë si Kastrioti apo Flamurtari. Shpresojmë që të mbajmë këtë ritëm, duke filluar nga ndeshja e radhës me Vllazninë në transfertë.

Tirana është pretendente për titullin kampion, por kampionati tani fillon sepse gara bëhet interesante dhe ekipet nuk kanë shumë diferenca këtë sezon. Ne duhet që të bëjmë sa më pak gabime për të mos e lëshuar kreun, duke filluar që nga transferta e radhës me Vllazninë në Loro Boriçi.

Natyrisht që kam nostalgji për Vllazninë, sepse aty kam kaluar çaste të paharrueshme, drejtuesit e saj më kanë besuar formacionin në moshën 18-vjeçare. Por më kanë mbështetur dhe tifozët shkodranë, megjithatë jemi në futbollin profesionist dhe tashmë luaj për Tiranën. Shpresoj që të fitojmë në Shkodër për mos të humbur kreun, – u shpreh sulmuesi Bekim Bala.

Golat Deri më tani, kur kanë kaluar katër javë kampionat, sulmuesi kryesor i bardhebluve, Bekim Bala, ka shënuar jo pak, por tre gola në katër ndeshje. Megjithatë, ai nuk tregohet egoist, por kërkon që ti ndajë meritat me të gjithë shokët e skuadrës: Më vjen mirë që ky sezon ka ndryshuar më mirë nga sa e kisha menduar, si në aspektin personal ashtu dhe për Tiranën.

Kam shënuar tre gola, por nuk është vetëm merita ime. Të gjithë më kanë mbështetur në skuadër, duke filluar që nga presidenti, trajneri dhe shokët e ekipit, kështu që edhe në suksesin tim personal ata kanë meritat e tyre. Shpresoj që të mbaj këtë ritëm edhe në vazhdim, sepse përveç titullit kampion dhe kupës, synoj që të fitoj edhe Këpucën e artë, një trofe që më shërben shumë në aspektin personal.

Dëmtimi E kam kaluar dëmtimin e rëndë që pësova në ndeshjen ndaj Pogradecit, ku theva edhe hundën. Më ngeli peng që mungova në një ndeshje të madhe si ajo me Flamurtarin, megjithatë më vjen mirë që luajti Morina dhe shënoi gol dhe mbi të gjitha që fitoi Tirana. Unë dhe Morina jemi një dyshe simpatike në sulm dhe të dy të aftë që ti shënojmë çdo kundërshtari.

Shpresat Bekim Bala ka disa ditë që është grumbulluar me ekipin Shpresa dhe dje në mesditë stafi i kuqezinjve të vegjël janë nisur drejt Polonisë. Në lidhje me eksperiencën në përfaqësuesen U -21, ku në disa takime miqësore, por edhe ndeshje zyrtare, Bekim Bala ka shënuar, për takimin e nesërm me polakët shkodrani tha: Shpresoj që të tregoj një formë të mirë edhe me Shpresën dhe do të jap maksimumin që të kthehemi me fitore nga Polonia. Do të jetë një ndeshje e fortë, megjithatë ne do të bëjmë tonën për të marrë rezultat pozitiv.

270 Minuta është aktivizuar këtë sezon në kampionat me bardheblutë sulmuesi shkodran Bekim Bala

3 Gola ka shënuar Bala në tri ndeshje që është aktivizuar, një ndaj Kastriotit dhe dy ndaj Pogradecit

2 Sulmues puro ka aktualisht trajneri spanjoll Rubio në dispozicion, Balën dhe Morinën

Bardheblutë, të mërkurën plotësohet kontigjenti

Gjatë javës që shkoi, por edhe sot dhe neser, trajneri Rubio do të punojë me grup të cunguar, për shkak se disa lojtarë janë grumbulluar me përfaqësueset respektive. Fjala është për Klodian Duron dhe Gilman Likën, të cilët janë të grumbulluar me përfaqësuesen e trajnerit Kuzhe, ndërsa Bala është pjesë e Shpresës.

Situma është grumbulluar nga Kenia dhe është larguar para një jave, ndërsa Peposhi me U-19. Vetëm të mërkurën trajneri spanjoll i Tiranës do ti ketë të gjithë lojtarët në dispozicion dhe do të fillojë të projektojë edhe formacionin anti-Vllazni.

Gjithsesi, Rubio është i kënaqur me formën që kanë treguar lojtarët që ka stërvitur gjatë këtyre ditëve, madje fatmirësisht deri më tani nuk ka asnjë të dëmtuar apo të pezulluar për shkak kartonësh, çka do të thotë se të shtunën në Loro Boriçi bardheblutë do të jenë me kontigjent të plotë.

Java vendimtare për kryeqytetasit

Përpos përgatitjeve për ndeshjen me Vllazninë, të gjithë drejtuesit më të lartë por edhe stafi së bashku me lojtarët do të ndjekin me interes se si do të ecë procesi i privatizimit të klubit të Tiranës. Më datën 12 do të mblidhet edhe këshilli bashkiak i Tiranës, që në rend të ditës ka edhe futbollin, pra privatizimin e KF Tiranës,  sepse afati i lënë nga FSHF për kthimin në sh.a. është data 15 tetor dhe instutucioni më i lartë i futbollit këtë radhë nuk ka ndër mend që të tolerojë më.

Trajneri Rubio ul dozat e ngarkesës

Pasi janë stërvitur nga Liqeni Artificial të enjten dhe të premten dhe vetëm të shtunën kanë punuar kryesisht ushtrime me topin, sot bardheblutë do të fillojnë përgatitjet me një program ndryshe. Trajneri spanjoll Rubio ka ulur ngarkesat në stërvitje, pasi ka shkundur lojtarët e tij, të cilët për dy ditë i kanë rënë anë e mbanë liqenit. Pasi kanë qendruar pushim absolut dje, sot pasdite në Skënder Halili, kryeqytetasit do të fillojnë përgatitjet për ndeshjen me kuqeblutë.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›