E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysa: Nuk e keni parë akoma Flamurtarin më të mirë

Nga ELTON NIKA

Sulmuesit do të çlirohen që nga ndeshja e radhës, ndërsa synimi për dy takimet e ardshme janë vetëm gjashtë pikë

Sulmit i mungon goli? I shënojmë Pogradecit dhe çdo gjë kthehet normalisht. Kështu thotë sulmuesi i Flamurtarit, Vilfor Hysa, që është i qartë në fjalët e tij, por kërkon, veç shënimit të golit nga sulmuesit, rëndësi të ketë më shumë fitorja. Ndaj Pogradecit, takim të cilin e luajmë në shtëpi, ne duhet të rikthehemi te fitorja dhe padyshim që në këtë ndeshje nuk mendojmë rezultat tjetër, veç tri pikëve.

Gjatë kësaj periudhe është bërë shumë zhurmë për mungesën e golit të sulmuesve të Flamurtarit, por kjo është thjesht çështje kohë. Ndaj Kastriotit shënova unë golin e tretë, tani veç meje, do të shënojnë edhe sulmuesit e tjerë, duhet vetëm pak durim. Mendoj se humbja përpara një jave në Tiranë nuk ka lënë një shije të mirë jo vetëm te ne futbollistët, por edhe në të gjithë opinionin sportiv të qytetit.

Sportdashësit kërkojnë shumë nga ekipi dhe për këtë kanë të drejtë, të bëjnë kritika apo edhe në stërvitje të kërkojnë më shumë nga Flamurtari. Prandaj ndeshja me Pogradecin është momenti ku Flamurtari do të kthehet te fitorja dhe sulmi te goli. Shënojmë këtë javë dhe largojmë kritikat, thekson sulmuesi Hysa.

Synimet Kam ardhur këtë sezon te Flamurtari për të dhënë kontributin tim dhe besoj se jam duke e bërë diçka të tillë, por vazhdimësinë e shoh më shumë pozitive. Fakti që luajmë dy takimet e radhës në fushën  tonë, ka nisur të quhen në opinioin sportiv si momentet e dy fitoreve të Flamurtarit. Natyrisht, edhe për ne futbollistët dhe stafin teknik ky është objektivi, por këtë gjë duhet ta arrijmë në fushën e lojës, duke luajtur mirë, duke kënaqur publikun dhe duke shënuar gola.

Flamurtari më i mirë ende nuk është parë dhe për këtë shumë shpejt do të shihni se ekipi do të shkojë në vendin ku e meriton të jetë. Jemi pretendent apo jo, këtë do ta tregojë koha. Nuk mendoj se ekipet e tjera kanë diçka më shumë se Flamurtari, përkundrazi. Dy humbjet kanë ardhur edhe për fajin tonë, por mendoj se kreu mund të arrihet.

Tashmë në vëmendjen tonë mbetet vetëm takimi me Pogradecin, më pas ai me Vllazninë, pavarësisht se janë dy takime për të cilat ne kemi nisur të mendojmë, ku duhet të marrim vetëm maksimumin, pra janë dy takime ku Flamurtari duhet të llogarisë gjashtë pikë të radhës në kampionat, por për këtë duhet djersë dhe mund në fushën e lojës, – përfundon sulmuesi i Flamurtarit, Vilfor Hysa.

Vlonjatët bëjnë pushim të dielën

Flamurtari shijon një ditë pushim, ndërsa përgatitjet startojnë sot me ritme të larta. Dita e diel ka qenë një ditë relaksi për futbollistët, ku shumë prej tyre kanë preferuar ti kalojnë pranë  familjeve të tyre. Ndërkohë, sot, në orën 16:00 nisin edhe përgatitjet për ndeshjen me Pogradecin, ndërsa mendohet se të enjten ekipi plotësohet me rikthimin në grup të Telushit dhe mbrojtësit Veliu.

Tifozët kuqezinj vlerësojnë ekipin në miqësore

Sportdashësit vlonjatë duartrokasin ekipin në fitoren përballë Tomorit në miqësore. Pavarësisht se ka qenë vetëm një takim miqësor dhe dihet që tifozët vlonjatë janë të tillë që shumë pak ndiejnë emocione në ndeshje të tilla, duket se krejt e kundërta ka ndodhur në takimin përballë Tomorit ditën e shtunë.Loja e zhvilluar nga futbollistët e Flamurtarit, pasimet e shpejta dhe rastet e krijuara para porte, kanë sjellë më shumë entuziazëm te tifozët, të cilët kanë duartrokitur ekipin e tyre.

Paraqitja në këtë miqësore ka qenë objekt i bisedave edhe një ditë më vonë, ndërsa nuk kanë munguar sportdashësit që kanë deklaruar se, nëse Flamurtari do të luante edhe me Tiranën ashtu si me Tomorin, atëherë nuk humbiste në kryeqytet. Megjithatë, paraqitja e Flamurtarit është cilësuar edhe një sinjal pozitiv në prag të takimit të radhës në kampionat përballë Pogradecit.

Begaj, gati për ndeshjen me Pogradecin

Begaj do të jetë i gatshëm për ndeshjen në kampionat përballë Pogradecit. Futbollisti nuk është aktivizuar në ndeshjen miqësore me Tomorin, ndërsa stafi mjekësor i ekipit ka konfirmuar se mesfushori do të jetë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e javës së ardhme. Konfirmohet se futbollisti nuk është rrezikuar në miqësoren ndaj Tomorit, pikërisht për shkak të dëmtimit dhe për këtë qëllim pritet që Begaj të kthehet në stërvitje shumë shpejt së bashku me grupin e tjerë të futbollistëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›