E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, me dy fytyra ndaj Shkumbinit

Nga ANDI MATRAXHIU

Blutë, pas një jave tepër intensive në stërvitje, janë të stërmunduar fizikisht

Futbollistët e Dinamos janë stërvitur intensivisht gjatë kësaj jave, duke përfituar edhe nga pauza e kampionatit si pasojë e aktiviteteve të kombëtares së Shqipërisë. Trajneri Faruk Sejdini me ndihmën e zëvendësit Artan Mërgjyshi, kanë bërë një punë voluminoze gjatë javës. Programi stërvitor ka qenë i ngjeshur me vrapime të shumta. Lojtarët janë ankuar për kontraktime muskulore. Ndërkohë që Xhaxhi ska dashur ti ulë ritmet në stërvitje.

Dita e diel është lënë pushim, ndërkohë që blutë janë të stërmunduar. Siç dihet Dinamo mes një mijë problemesh, e ka nisur sezonin vetëm 3 ditë përpara startimit të kampionatit 2011-2012. Por përgatitjet e stërmundimta në këtë moment mund të kenë anë pozitive, por edhe negative. Me shaka, njëri nga futbollistët blu tha pas një seance stërvitore: Me këtë stërvitje të fortë që kemi zhvilluar gjatë kësaj jave, dy gjëra do të ndodhin:

O do ti mbajmë peqinasit në krah, ose e kundërta. Pra, blutë në njërin krah mund të shfaqen shumë mirë në aspektin fizik në këtë sfidë dhe në krahun tjetër stërmundimi gjatë javës mund të sjellë lodhje dhe mungesë rezistence gjatë sfidës me Shkumbinin të drejtuar nga Kristaq Mile. Por si gjithnjë do të jetë fusha e blertë ajo që do të shuajë çdo dilemë.

Dinamovitët kuqezinj

Në radhët e Dinamos gjatë kësaj jave kanë munguar disa futbollistë dhe pjesëtar të stafit. Kështu, të rinjtë Roland Peqini, Eni Imami, Andrea Kule, Antonio Marku janë pjesë e kombëtares U-21. Ndërkohë që trajneri i portierëve, Ilir Bozhizi, vazhdon të jetë pjesë e Shqipërisë në kuadër të dy sfidave, ndaj Francës dhe Rumanisë. Gjithashtu, edhe fizioterapisti Perli Rusi është pjesë e kombëtares Shpresa, ndërsa edhe magazinieri Fatos Kadëmi ndodhet me përfaqësuesen e drejtuar nga Josip Kuzhe. Me rikthimin e tyre do të plotësohet stafi blu, por edhe organika e futbollistëve.

Kuli, kundër së shkuarës

Kapiteni i Dinamos, Bekim Kuli do të përballet me ish-skuadrën e tij, Shkumbinin, me të cilën është aktivizuar gjatë sezonit të shkuar, duke qenë një nga pikat më të forta në këtë skuadër. Por tashmë kavajasi do të luajë ndaj bardhekaltërve, ku pritet të jetë një lider në fushën e blertë, duke udhëhequr Dinamon drejtë fitores. E gjithë loja e dinamovitëve është përqendruar në fantazinë e nr.10 të bluve, i cili shquhet për pasimet e tij dhe lojën me temperament që shfaq gjatë 90 minutave të sfidës.

E diela, pushim

Dje, dinamovitët kanë kaluar një ditë pushim pranë familjeve të tyre. Ky relaks ka qenë i domosdoshëm edhe në aspektin fizik, pasi blutë kanë kaluar një javë të ngarkuar në seancat e forta stërvitore. Sot pritet ndryshimi i orarit stërvitor, por gjërat mbeten evazive për arsye të Agjencisë së Sporteve në MTKRS, që ka në dorë këtë afrim të orarit stërvitor të bluve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›