E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo: Skënderbeu ishte me grip, tani prisni shpërthimin

Nga LEONARD TREBICKA

Bosi i korçarëve me humor thotë se futbollistët e tij e kaluan sëmundjen gripale dhe pret që së shpejti ekipin ta shikojë në krye  

Në 4 javët e para të kampionatit, Skënderbeu ka arritur të grumbullojë vetëm 5 pikë, që në fakt janë pak, për të mos thënë se në Korçë nuk e besojnë që kampionët për momentin ndodhen në vendin e 10-të dhe e quajnë thjesht një start jo të mirë dhe që kjo renditje do të harrohet shpejt.

1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, askush te kampionët nuk e kishte menduar që do të ndodhnin, ndërkohë që me laps në dorë, përpara fillimit të sezonit, kampionët në 4 javë kishin shënuar në fletë 12 pikë, por ja që tani kanë 7 pikë më pak.

Ky pa dyshim që është start për tu harruar, teksa stafi dhe presidenca janë shprehur hapur se gabime të tilla bëjnë edhe skuadrat e mëdha në Europë dhe kjo gjendje është thjesht kalimtare. Qysh në ndeshjen e radhës ndaj Kamzës, të gjithë presin rikthimin te fitorja, por edhe rikthimin e Skënderbeut te lojërat dhe rezultatet që të gjithë i presin.

Presidenti Pa dyshim që ai beson më shumë te kthesa e Skënderbeut është njeriu që ka investuar më shumë te kjo skuadër, pikërisht ai është presidenti Agim Zeqo. Në një prononcim për gazetën Sporti shqiptar, Zeqo e ka quajtur këtë gjendje normale, pasi futbollistët e ekipit të tij i kishte kapur gripi, grip që tashmë për të kaloi.

Është e vërtetë që çunat i kishte kapur gripi dhe nuk ishin në gjendje që në 4 javët e para të jepnin maksimumin, sepse me grip nuk mund të presësh më shumë se kaq. Tani jam i bindur që sëmundja e stinës kaloi dhe keni për të parë që të gjithë do të shpërthejnë, për të marrë ndeshje pas ndeshje ato rezultate që ne presim.

Në fakt, nuk e kishim menduar që në 4 javë të kishim vetëm 5 pikë, por mos harroni se me Tomorin në javën e parë fati nuk ishte me ne, ndërkohë që në Laç ne humbëm për faj të xhaketave të zeza, që na anuluan një gol të rregullt. Ne nuk jemi një ekip që ankohemi dhe ua hedhim fajin të tjerëve.

Unë e përmenda edhe fajtorin, që ishte gripi që kishte kapur futbollistët dhe kaq mjafton për të thënë se kjo tashmë është një punë e mbyllur dhe unë pres me padurim kthesën e Skënderbeut, – ka deklaruar më shumë se optimist pasditen e djeshme presidenti Zeqo.

E ardhmja Më tej, për vazhdimësinë e Skënderbeut, bosi i korçarëve do të pohonte: Nuk mund të falim më gabime të tjera dhe këtë e dinë edhe futbollistët, të cilët më kanë premtuar se ky ishte fillimi dhe fundi i disa rezultateve që edhe ata vetë nuk i prisnin. Kam besim dhe nuk ka se si të mos e kem, pasi ua kemi plotësuar të gjitha kushtet lojtarëve dhe ata tashmë e dinë detyrën e tyre.

Qysh ndaj Kamzës keni për të parë një skuadër vërtet kampione, si me lojë, por edhe me rezultat. Ky kampionat nuk të lë të gabosh shumë, pasi ka shumë më pak javë se sezoni që kaloi dhe, në këtë mënyrë, unë shpresoj që pas disa javësh ta shikoj ekipin tim në krye.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›