E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balada e Deas

Dea Xhemaili ka realizuar videoklipin e baladës së saj të dytë. Është kjo kënga “Vrit, mos lëndo”, që është realizuar nga produksioni “Pink Moon”, ndërkaq kënga është kompozuar nga Ilir Tolaj Nga Ardian Jasiqi më 17 qershor 2011 në ora 14:30

Këngëtarja e re Dea Xhemajli ka realizuar video-klipin e saj më të ri, “Vrit, mos lëndo”, një këngë baladë kjo e cila ka disa ditë që po lëshohet nëpër mediet kosovare.
“Këngën e ka kompozuar Ilir Tolaj , ndërsa tekstin Ilir Mançastena. Videoklipin me produksionin Pink Moon”, ka thënë këngëtarja në një bisedë të shkurtër për Express.
Ajo ka thënë se është e kënaqur me realizimin e videos dhe se, sipas saj, është pritur shumë mirë nga publiku, si një baladë që është.

“Po, është e vërtetë që më me dëshirë këndoj balada, por për t’ vetmen arsye se ndihem me rehat kur këndoj këtë lloj të muzikës dhe gjithashtu mendoj që më shumë vijnë në pah vlerat e zërit. Duke u nis prej faktit që jemi një popull dashamirës, njerëzor dhe shumë human, baladat janë ato që i flenë në shpirt popullit, prandaj edhe kam vendos që kënga e dytë të jetë baladë, edhe pse ka disa elemente më ritmike”.

Këngëtarja veç kësaj ka edhe oferta të shumta për të kënduar nëpër koncerte të ndryshme gjatë verës. Megjithatë, angazhimet në shkollën e mesme të muzikën kanë bërë që ajo t’i lë ato anash dhe t’i përkushtohet shkollës.

“Kam shumë oferta, mirëpo duhet me marr parasysh se jam shumë e zënë edhe me provimet e shkollës dhe një kohë të madhe ma marrin ato, përderisa jam duke u përgatitur për të studiuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë”, thotë ajo.

Dea mendon të studiojë solokëndimin, kurse për momentin është në klasën e 12-të në Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”.

Dea, e cila këndoi edhe në koncertin e 20 vjetorit të themelimit të grupit Marigona, ka thënë se ky ishte një moment interesant për të.

“Ka qenë një satisfaksion që unë kam qenë pjesë e atij koncerti, por të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi e madhe. Jam munduar të punoj me shumë përkushtim dhe me vullnet, e kam bërë punën me shumë dashuri”.

Por, Dea thotë se nuk i ka munguar edhe përkrahja e grupit, të cilët kanë një bagazh të madh artistik dhe krijues prapa vetës.

S’flet për dashuri
Edhe pse ende tinejxhere, Dea thotë se nuk ka dëshirë të flet shumë për jetën e saj private. “Është një gjë që do ta mbaj për vete”, tha ajo. Ndryshe, kohën e lirë ajo e kalon me familje dhe shoqëri, kurse i kushton një rëndësi të madhe edhe dietës së saj ditore. “Por, kohë të lirë kam shumë pak”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›