Balak: “Nuk e humbas dy herë Ligën e Kampioneve”

Vetëm pak orë pasi Celsi siguroi finalen e parë historike në Ligën e Kampioneve, gjermani Mikael Balak, i cili luajti një rol të rëndësishëm në fitoren 3-2 kundër Liverpulit, foli për faqen zyrtare të klubit londinez. "Ndihem shumë mirë, edhe pse ka kaluar një ditë", - tha Balak, i cili fitoi edhe penalltinë që realizoi më pas, Frenk Lampard, për ta cuar rezultatin në 2-1. "Ne patëm një fitore të mirë, të vështirë dhe unë mendoj se ishte një fitore e madhe për klubin, për të gjithë". – shtoi ish-mesfushori i Bajernit të Munihut. "Të arrish në finalen e Ligës së Kampioneve është një objektiv i madh për ne. Tani ia arritëm dhe është gjithmonë një ndjenjë e mirë të jesh në finale. Është fantastike".
Duke folur për faullin që shkaktoi edhe penalltinë, Balak pohon se gjyqtari Roberto Roseti do ta jepte. "Unë mendova se ishte një faull dhe shpresova se gjyqtari do të jepte penallti. Gjithcka ndodhi shumë shpejt, por ai (Hipia) goditi këmbën time të majtë. Ishte një vendim i drejtë", - shpjegon mesfushori, i cili të shtunën e kaluar shënoi dy golat e fitores kundër Mancester Junaitid (2-1) në Premier Ligë, që solli edhe barazimin në pikë (nga 81), të dy finalistëve të Moskës.
Lampard morri guximin për ta gjuajtur penalltinë, por Balak nuk u befasua që shoku i tij i ekipit morri përgjegjësinë. "Ishte një gjuajtje me presion të madh, por ju e dini, Frenk është një lojtar i madh dhe mund të shënojë penalltitë", - tha Balak.
Mikael shton se nëse Lampard nuk do të luante, ai do të merrte përgjegjësinë. "Unë mund t'i gjuaj penalltitë, nuk është problem për mua. Ne të dy kemi shumë eksperiencë. Unë mendoj se lojtari më i mirë duhet të marrë përgjegjësinë në këto situata. Ai e bëri shumë mirë".
Euforia e fitores së gjysmëfinales po zbehet dhe mendimet tashmë lëvizin drejt Moskës. Balak beson se finalen do ta fitojë ekipi që do të tregojë se e meriton më shumë. Të shtunën e kaluar Celsi fitoi 2-1 kundër Mancester Junaitid në "Stemford Bridxh", por sipas kapitenit të Kombëtares gjermane kjo nuk do të thotë asgjë.
"Me Celsin ne jemi në gjendje të mirë, në formë të mirë dhe gjithcka është e hapur. Dy ekipet më të mira të Europës për momenti janë në finale dhe janë kokë më kokë në garën e Premier Ligës. Është një sezon i madh për të dyja ekipet dhe ne kemi nevojë për një përformancë të mirë atë ditë. Këtë do ta shohim", - tha Balak.
Si një nënkampion i Europës kur luante me Bajer Leverkuzen në vitin 2002, Balak është i uritur për medaljen e artë dhe ai dëshiron t'u provojë fansave të Celsit, se ai është një ndër të mëdhenjtë.
Në vitet 2002, 2003 dhe 2005, Balak fitoi Bundesligën me Bajernin e Munihut përpara se të bashkohej me Celsin në verën e vitit 2006. Në Angli, Mikael ka fituar "Carling Cup", teksa mungoi në finalen e "FA Cup " sezonin e kaluar për shkak të dëmtimit.
Brenda disa javësh, ai mund t'i shtojë koleksionit të tij medaljet e Premier Ligës dhe Ligës së Kampioneve, dhe ai është plotësisht i fokusuar për t'i realizuar.
"Unë nuk mendoj se vetëm për mua, por për këdo që luan, të fitojë tituj është pjesë e karrierës. Gjithkush i dëshiron titujt", - arsyeton Balak. "Unë kam fituar deri tani në ligën gjermane dhe tani objektivi im është të fitoj Ligën e Kampioneve. Unë jam 31 vjec dhe unë tani dua të marr përgjegjësinë për të realizuar atë në finale. Unë e humba të parën dhe unë dua tani të fitoj. Ne të gjithë dëshirojmë të fitojmë".
Balak është i përqendruar te skuadra e tij, Celsi, duke mos menduar për momentin për kombëtaren e tij. "Unë jam i fokusuar në ndeshjet e Celsit, dhe vetëm kur sezoni të mbarojë unë do të përqendrohem në Kampionatin Europian me ekipin Kombëtar. Është një sezon i gjatë dhe ne kemi punuar shumë fort në një sezon të vështirë me plot dëmtime. Ne jemi shumë afër për të fituar një titull dhe kjo është shumë e rëndësishëm për mua", - përfundon Mikael Balak.
6 vjet më parë
Kujtimet nga "Hampden Park" gjashtë vjet më parë ende janë të freskëta në mendjen e Balakut, kur Bajer Leverkuzen u thye në finalen e Ligës së Kampioneve nga goli i jashtëzakonshëm në formë voleji i Zinedin Zidan, i cili i dhuroi fitoren e madhe Realit të Madridit. "Nuk mund të bëni asnjë krahasim tani me atëherë. Është gjithcka ndryshe. Kanë kaluar gjashtë vjet. Dua të theksoj se cdo gjë mund të ndodhë në finale, nuk ka rëndësi se cka ndodhur më parë. Te Leverkuzen ne ishim shumë mirë, ishim në formë fantastike dhe luajtëm një finale të mirë, por humbëm", - thotë kapiteni i Gjermanisë në finalet e Euro 2008.