Balazs: Debati politik bëhet në Parlament
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balazs, i bëri thirrje dje opozitës të ishte në Parlament dhe aty të diskutonte në lidhje me problemet e saj. Këtë deklaratë dha kryediplomati i vendit, i cili në janar të vitit 2011 mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, teksa zhvilloi një takim me Kryeministrin Berisha në Tiranë. “Hungaria ka bindjen e thellë se Parlamenti është vendi i vetëm ku palët duhet të debatojnë në demokraci dhe se opozita shqiptare duhet të jetë pjesëmarrëse në sallën e Parlamentit rregullisht dhe jo ta bojkotojë atë dhe të jetë diku gjetkë, sepse Parlamenti është shtylla themelore e demokracisë”, theksoi Balazs, gjatë diskutimit me Kryeministrin Berisha në lidhje me situatën politike në vend. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë deklaroi se mazhoranca i ka dhënë opozitës edhe opsionin e saj për ngritjen e një grupi prokurorësh, të cilët do të kryejnë një hetim të plotë të këtij procesi. Nga ana tjetër, gjatë takimit, ministri i Jashtëm i Hungarisë deklaroi se vendi i tij do ta mbështeste Shqipërinë në aspiratën e saj për liberalizimin e vizave dhe po kështu në ecjen me shpejtësi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Liberalizimi i vizave ishte temë kryesore në takimin që Peter Balazs zhvilloi me homologun e tij, Ilir Meta. Në këtë takim, kryediplomati hungarez shprehu bindjen se shumë shpejt qytetarët shqiptarë do të lëviznin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Hungarisë zhvilloi dje takime edhe me Presidentin Bamir Topi dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
#