Bale nuk mendoi asnjëherë për largim

Gareth Bale ka insistuar se është i lumtur në Tottenham dhe nuk mendoi rreth largimit nga klubi gjatë afatit kalimtar të verës. Paraqitjet e shkëlqyeshme të uellsianit sezonin e kaluar në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve bënë që një numër i madh i klubeve evropiane të shprehin interesim për shërbimet e tij.
Mirëpo, spekulimet u shuan në mars kur Tottenham njoftoi se Bale ka nënshkruar kontratë të re për katër vite e gjysmë. 22 vjeçari ka insistuar se Tottenham është klubi i përkryer për të ku ai mund të realizojë potencialin e tij.
“Asnjëherë nuk kam menduar të largohem nga Tottenhami gjatë verës. Kam vazhduar kontratën dhe kënaqem me lojën time”, tha Bale për Sky Sports News. “Jam duke luajtur dhe luaj rregullisht. Kjo është gjëja kryesore për mua, jam ende i ri, dua të luaj çdo javë dhe të përmirësohem, jam ende në moshë ku mund të vazhdoj të përmirësohem”, u shpreh ai.
Bale pranon se prezenca e menaxherit Harry Redknapp në White Hart Lane është njëra prej arsyeve kryesore për përkushtimin e tij ndaj klubit. “Ai i lejon futbollistët të shprehen dhe për një menaxher t’ ju jep këtë liri nuk ka asgjë më të mirë”, përfundoi ai.