Scholes akuzon futbollistët dhe trajnerët e Anglisë

Paul Scholes beson se futbollistët e Anglisë janë të ledhatuar dhe akuzoi trajnerët se e marrin drejtimin e ekipit kombëtar vetëm për arsye financiare.
Scholes bëri 66 paraqitje për Anglinë para pensionimit nga futbolli ndërkombëtar më 2004 për të kaluar më tepër kohë me familjen dhe vazhduar karrierën në klub. Ndërsa, pas përfundimit të karrierës si futbollist këtë verë, ish mesfushori ka ofruar mendimet e tij për Anglinë.
“Selektori i Anglisë ndërrohet aq shpesh sa që kurrë nuk ka stabilitet dhe mendoj se trajnerët në ditët e sotme e marrin postin e Anglisë vetëm për para”, tha Scholes gjatë një interviste për magazinën e Manchester Unitedit, Red News.
Përveç kritikave për trajnerët, Scholes nuk ka fjalë të mira as për futbollistët. “Futbollistët janë të ledhatuar dhe të lazdruar. Ata trajtohen si kampion bote, ndërsa ende nuk janë ekip i suksesshëm për ta arritur atë. Ata konsiderohen si yje vetëm për shkak të asaj që kanë arritur me klubet e tyre”, shtoi Scholes i cili është pesimist rreth shanseve të Anglisë për të fituar ndonjë garë të rëndësishme. “Në katër ose pesë garat e fundit, Anglia mund të ketë shkuar deri në çerekfinale, por nuk ka treguar asgjë dhe në Afrikën e Jugut ishte katastrofale”, përfundoi ai.