Lampard fal “shkatërruesin” e Aston Martin
Të dalësh nga stërvitja dhe ta gjesh Aston Martin gati të shkatërruar dhe një llogari karrocerie që shkon në 15 mijë stërlina, nuk është diçka e bukur as për dikë që stërlinat i fiton me grushte, 150 mijë në javë. Mbi të gjitha duhet të çmendesh nga inati kur sheh se ai që ta ka përplasur makinën tënde prej 130 mijë stërlinash, ka një Peugeot që mesi qëndron mbi rrota. Fajtori? Një djalosh i sektorit të të rinjve, që e ka pritur Lampardin në vendngjarje me lot në sy duke i treguar se ishte ai shkaktari i përplasjes dhe se e kishte lutur që të mos i shkatërronte karrierën. Madje, djaloshi kishte kërkuar që ta paguante ai dëmin (?!). Sidoqoftë, Lampardi, i befasuar nga ndershmëria e djaloshit që edhe mund t’ia kishte mbathur që aty, i premtoi se do të merrej ai me gjithçka, duke e falur lojtarin e ri. Megjithatë, tani me Aston Martin e shkatërruar, Frank ka vetëm një problem: kë të zgjedhë për të dalë xhiro midis Mercedes SL500, Range Rover, Audi Q7 dhe Ferrari 612 Scaglietti.