Bale nuk shitet për çfarëdo çmimi

Harry Redknapp ka ritheksuar se Tottenham nuk do të shqyrtojë shitjen e mesfushorit të majtë Gareth Bale për çfarëdo çmimi.
Bale është njëri prej futbollistëve më të përfolur në Evropë, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme këtë sezon, përfshirë fitoren 3-1 ndaj Interit në fazën e grupeve të Ligës s Kampionëve.
Ylli uellsian ka treguar paraqitjet e shkallës së lartë dhe ka filluar të kërkohet nga klube të mëdha evropiane.
Më herët gjatë javës thuhej se Inter është duke përgatitur ofertë prej rreth 50 milionë eurosh, edhe pse ajo u mohua nga gjiganti italian.
Megjithatë, Redknapp ka bërë të qartë se Tottenhami nuk synon ta shesë futbollistin, të cilin e bleu për 5 milionë funte nga Southamptoni më 2007.
“Bale nuk do të shihet në verë. I takon presidentit të vendosë, por do të isha shumë i befasuar nëse klubi do të shqyrtonte shitjen e tij për çfarëdo çmimi. Nëse duam të jemi ekip i madh, ne duhet të mbajmë futbollistët kryesorë. Bale nuk shitet. Ju keni tre ose katër futbollistë që mund të bëjnë dallimin dhe ai është njëri prej tyre. Andaj, nëse e humbi atë, nuk mund ta zëvendësoj. Ku do ta zëvendësoni atë? Nuk guxojmë ta humbim”, tha Redknapp për mediet angleze.