Triumfon Clijsters
Bartësja e tretë, Kim Clijsters fitoi titullin e saj të parë në Australian Open, duke mposhtur në finale kinezen Li Na 3-6, 6-3, 6-3 në Melbourne Park.
Tenistja belge, e cila ka edhe tre tituj të US Open, filloi ngadalshëm duke humbur setin e parë, para se të rikthehej për të siguruar fitoren pas dy orë e katër minutave lojë.
“Tani mund të më thirrni ‘Aussie Kim’ sepse e kam fituar titullin”, tha Clijsters e cila do të ngjitet në pozitën e tenistes numër dy në botë pas publikimit të ranglistës së re të hënën.
“Li Na ishte kundërshtare shumë e fortë. Ajo më sulmoi shumë në fillim dhe isha në disavantazh, gjë që nuk më pëlqen. Seti i parë, mendova ‘wow’! Kjo do të jetë një ndeshje shumë e shpejtë për mua. Ishte vështirë. Në setin e dytë fillova të ndihem më nervoze. Por, jam e lumtur që arrita të fitoj në fund”, shtoi 27 vjeçarja.
Li, e cila u paraqit në finalen e saj të parë në karrierë në një Grand Slam turne, ishte bindshëm më e mirë se Clijsters në setin e parë, derisa iu afrua ëndrrës për t’u bërë tenistja e parë kineze fituese e një Grand Slam titulli.
Por, Clijsters tregoi përvojën e saj në fund, derisa ndryshoi ritmin e lojës dhe shqetësoi Lin, e cila në një moment të përballjes u ankua edhe për tifozët e saj në tribuna.
“A mund t’u thoni kinezëve të mos mundohen të më tregojnë si të luaj tenis?” i tha ajo gjyqtares kryesore Alison Lang pas ndërrimit të këndeve.
Por, deri në momentin e prezantimit të trofeve, Li kishte kthyer sensin e humorit. “Ai mashkulli me bluz të verdhë është burri im. Nuk ka rëndësi a je i trashë, i dobët ose i shëmtuar. Gjithmonë do të të dua”, tha Li, 28 vjeçe, duke bërë të qeshin një pjesë e madhe e 150 mijë shikuesve në stadium.
“Nuk ka rëndësi nëse fitoj ose humbi, sepse kam dhënë maksimumin. Më 3 shkurt është Viti i Ri kinez, andaj urime Viti i Ri dhe shihemi vitin tjetër”, përfundoi ajo. Në konkurrencën e meshkujve, finalja zhvillohet të dielën (sot), ku takohen serbi Novak Djokovic dhe skocezi Andy Murray.