E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasja e dyfishtë pas faljes”

 

Trazhgim Sokolaj

Mbrëmjen e 24 nëntorit 2008, në ora 18:30, Ali Shehu, banues në Sauk, brenda pak çasteve realizoi dy veprime ekstreme. Pak çaste pasi ishte falur në shtëpinë e tij, 70-vjeçari qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij F. Shehu dhe më pas vrau edhe komshiun, Bexhet Xhabrahimi. Gjithçka ka ndodhur brenda pak çasteve kur sipas Prokurorisë, i akuzuari për krimin e dyfishtë ka përfunduar faljen në një nga dhomat e shtëpisë e më pas ka ekzekutuar dy viktimat. Më pas i akuzuari Ali Shehu është vetë dorëzuar në Komisariatin e Policisë nr.1, në Tiranë, duke mbajtur me vete edhe armën e krimit. Prokuroria e Tiranës përfundoi dje hetimet për krimin e dyfishtë të ndodhur në familjen Shehu, banuese në Sauk. I pandehuri Ali Shehu, i cili akuzohet për “vrasje me paramendim” ndaj dy personave, pritet të dalë në gjyq brenda pak ditëve pasi dosja penale ndaj tij u dorëzua në gjykatë bashkë me provat dhe dëshmitë e mbledhura gjatë hetimeve. Një shkak i dyfishtë dyshohet se ka qenë arsyeja e krimit, pasi sipas akuzës, Ali Shehu kishte konflikt me komshiun e tij Bexhet Xhabrahimi, për pronësinë e një ullishteje në atë zonë por kishte edhe pretendime për besnikërinë e të shoqes. Sipas hetimeve të Prokurorisë, këto të dyja kanë qenë shkaqet e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 24 nëntorit të vitit të kaluar, kur policia gjeti të vrarë gruan e Ali Shehut dhe komshiun e tij ndërsa autori i krimit u vetëdorëzua bashkë me armën.
Hetimi
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe deklarimeve të dëshmitarëve, natën e krimit, rreth një orë para vrasjes, viktima Bexhet Xhabrahimi ka shkuar te shtëpia e autorit të vrasjes së dyfishtë Ali Shehu. Dëshmitarët, nga familja e të akuzuarit, tregojnë se dy personat janë parë të debatojnë në oborrin e shtëpisë porse nuk kanë arritur të kuptojnë për çfarë flitej. Në këtë kohë, sipas dëshmive, Ali Shehu i ka thënë komshiut të tij Bexhet Xhabrahimi, se ishte bërë gati të falej dhe se do të diskutonin më pas nëse viktima do ta priste sa të mbaronte ritin fetar. Pasi ka mbaruar veprimet që do të kryente, 70-vjeçari Ali Shehu ka dalë nga shtëpia dhe ka nisur të debatojë përsëri me komshiun ndërsa në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar bashkëmoshatarin e tij. Në këtë kohë, nusja dhe djali i autorit të krimit kanë ndërhyrë të ndalonin veprimet e 70-vjeçarit por ai është afruar te viktima dhe ka qëlluar edhe 3-4 herë të tjera. Më pas, i akuzuari ka hyrë në shtëpinë e tij, është drejtuar te dhoma ku po qëndronte e shoqja dhe pa folur ka qëlluar me armë në drejtim të saj, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetimet e Prokurorisë theksojnë se Ali Shehu ka pasur pretendime për korrektësinë dhe seriozitetin e fqinjit të tij me të cilin pas disa fërkimeve kishte hyre në tratativa për ti blerë tokën, por viktima Bexhet Xhabrahimi i premtonte shitjen e truallit dhe më pas tërhiqej duke mos e kryer këtë veprim.

Akuza: Konflikti për ullinjtë shkak për krimin e dyfishtë
TIRANE – Diasa ditë para ngjarjes, bexhet Xhabrahimi mësohet se kishte çuar një person për të vjelë ullinjtë që pretendonte se i kishte në pronësi. Pemët ishin pranë shtëpisë së Ali Shehut i cili ka bërë konflikt me të dërguarin e pronarit të tokës. Ditën kur u vra me disa plumba, Bexhet Xhabrahimi i ka kërkuar llogari Ali Sehut duke i thënë përse kishte bërë fjalë me personin që do vilte ullinjtë. Autori i vrasjes së dyfishtë ka reaguar duke thënë se e njihte vetë personin me të cilin ishte grindur dhe i zgjidhte vetë problemet me atë. Më pas Ali Shehu akuzohet se ka treguar armën të cilën e ka përdorur për të vrarë viktimën e më pas edhe të shoqen brenda në shtëpi prej nga ka dalë prapë dhe është siguruar se komshiu i tij kishte vdekur nga plagët e marra. Dëshmitarët nga të dy familjet, Shehu dhe Xhabrahimi kanë pohuar në polici së prej vitesh mes tyre ka pasur mosmarrëveshje për kufirin që ndante tokat e tyre dhe se ata disa herë kishin tentuar ta zgjidhnin mosmarrëveshjen, por pa rezultat. Dëshmitarët kanë mohuar çdo shkak tjetër për ngjarjen.               

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›