“I vrari me 3 plumba në Lezhë u rrëmbye në Kamëz”
TIRANE – Në ditën e fundit të ekzistencës së tij, Osman Berberi ka dalë me shapka nga banesa e tij në Kamëz. Ai nuk u kthye asnjëherë në shtëpinë e tij, derisa pak ditë më parë u gjet në Lezhë i vrarë me tre pkumba. Një javë më parë, 30-vjeçari duket se ishte kërkuar në takim nga njerëz të njohur të tij dhe për këtë shkak, me idenë se do të qëndronte në lagje, kishte dalë me rroba shtëpie dhe me shapka nga shtëpia. Një fakt i tillë, i konfirmuar nga dëshmitarët e policisë dhe Prokurorisë, tregon se viktima e vrasjes, 30-vjeçari Berberi, nuk ka pasur në plan të udhëtonte drejt Lezhës ku u gjet i vdekur, por është dërguar atje pasi është rrëmbyer nga autorët e krimit. Ndërkaq ditën e djeshme, rreth orës 13:00, 30-vjeçari Osman Berberi, ish-emigrant në Greqi, duhej të paraqitej në një proces gjyqësor të hapur në Gjykatën e Tiranës, ku ai akuzohet për rrahje. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se disa persona nga një rreth verior i vendit e kishin paditur viktimën për rrahje pas një konflikti që ka ndodhur mes tyre, për arsye të momentit disa kohë më parë.
Dosja penale për vrasjen e Osman Berberit është marrë në kompetencë hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa ende nuk konfirmohet nëse hetuesit janë duke verifikuar procesin gjyqësor për rrahje që viktima kishte në Gjykatën e Tiranës. Organi i akuzës tha se ka disa pista hetimi për vrasjen e 30-vjeçarit, i cili u gjet i vdekur katër ditë më parë në Lezhë. Në hetim janë angazhuar veç Prokurorisë së Krimeve të Rënda edhe Policia e Lezhës, ku u gjet viktima por edhe Policia e Tiranës dhe komisariati nr.5 që mbulon zonën ku banonte 30-vjeçari. Nga deklarimet e mbledhura deri më tani, nga personat me dijeni për ngjarjen, nuk është mësuar ndonjë konflikt me rëndësi që të ketë qenë shkak i ngjarjes, megjithatë policia konfirmon se viktima ishte paditur për rrahje nga të paktën tre persona kurse procesi po zhvillohej në gjykatën e kryeqytetit. Dosja penale e kësaj ngjarje është ende pa autor, ndërsa policia ka shoqëruar mbi 30 persona me dijeni dhe të dyshuar për ngjarjen, të cilët janë verifikuar për implikim të mundshëm në krimin misterioz. Një pjesë e verifikimeve të policisë lidhen edhe me qëndrimin për pak kohë të viktimës në Greqi. Osman Berberi kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer, pas një qëndrimi të shkurtër si emigrant në shtetin helen. re.kr