E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jali, “The Economist”: Qeveria shfrytëzoi Bankën për prishjet

 

tirane

Revista prestigjoze “The Economist” në një artikull të saj me titull “Banka Botërore, fajtore, sipas akuzës”, lë të kuptohet se problemi i Jalës është më i madhi që prej zgjedhjes së Zellik, pas një skandali seksual ku u përfshi parardhësi i tij Pol Ulfovic.Shumë njerëz që kishin shpresuar për ditë më të mira pas largimit të Ulfovic, shkruhet në revistë, u tronditën kur dëgjuan zotin Zellik ta përshkruante me fjalët “skandaloze” sjelljen e bankës me projektin e keqmenaxhuar për bregdetin shqiptar. Ky ishte reagimi i kreut Bankës Botërore ndaj përfundimeve të një paneli që gjeti lidhje mes shembjes së gabuar të 16 shtëpive në bregdetin e Jalës dhe projektit me vlerë 17.5 milionë dollarë.
Revista “The Economist” thotë se, pavarësisht mea kulpas impresionuese të Zellik dhe ndihmës që do t’i jepet familjeve të dëmtuara, projekti me të meta dhe tashmë i pezulluar nxorri në pah shqetësime shumë më të rënda për këtë institucion ndërkombëtar.
Hetimet zbuluan një dramë paaftësie, keqmenaxhimi dhe veprimesh të turbullta. Një ndër faktet e sikletshme në projektin shqiptar, shkruan revista, është një dokument vlerësimi i cili i referohej një marrëveshjeje me qeverinë mbi një moratorium për prishjen e ndërtimeve ilegale, i vlefshëm deri sa të përcaktoheshin rregulla të qarta, se cfarë mund të konsiderohet aktivitet i paligjshëm.
Por në të vërtetë, asnjë marrëveshje e tillë nuk ekzistonte, ose të paktën asgjë për të cilën personeli të ishte në dijeni. Dokumenti i vlerësimit ishte korigjuar pak përpara se ai t’i parqitej bordit të bankës, e më pas ishte ndryshuar dhe më tej akoma ishte braktisur në mënyrë të pashpjegueshme. Si rrjedhojë, disa punonjës mendonin se marrëveshja ishte në fuqi dhe vazhduan t’i referoheshin asaj në dokumentet e mëpasshme. Me fjalë të tjera, shkruan revista, fjala e duhur për ta përkufizuar këtë proces ishte “mishmash”. Kur paneli hetoi këtë mishmash zbuloi se banka nuk ka asnjë procedurë të qartë për të ndrequr pakujdesinë në vlerësimin e projekteve. Projekti shqiptar, sipas “The Economist”, hodhi dritë mbi disa çështje të errëta, si për shembull kë rekruton banka për të bashkëpunuar kur zbaton projekte. Edhe pse si fillim bordi i menaxherëve i tha panelit se nuk ka lidhje me shembjet në Jalë dhe projektin, revista sqaron se shtëpitë u shembën me një zell të tepruar nga policia ndërtimore. Njësia koordinuese e projektit, e cila siguroi fotografimet e subjekteve që do shembeshin, shfrytëzoi Bankën Botërore për marrjen e atyre fotove, zbuloi paneli. Këto foto iu dërguan Policisë Ndërtimore me një letër të koordinatorit ku shkruhej “sa më shpejt të jetë e mundur”. Zellin e Policisë Ndërtimore revista “The Economist” ia atribuon jo aq Bankës Botërore, sesa faktit së koordinatori i projektit ishte dhëndri i kryeministrit Sali Berisha. Paneli inspektues në raportin e tij, shkruan “The Economist”, vuri në dukje se personeli i Bankës ishte shqetësuar nga lidhjet politike të koordinatorit, po aq sa edhe nga kualifikimet  e tij. Por megjithatë, ai ishte emëruar vetëm pak muaj pasi vjehrri i tij u bë kryeministër. Por, vazhdon artikulli, një gjë që Banka Botërore mësoi me këtë rast është se emërimi i personave me influencë por që kanë axhendat personale shpesh herë në mosmarrëveshje me vetë Bankën, krijon probleme të mëdha në administrimin e projekteve. Si përgjigje ndaj rastit shqiptar, Banka Botërore angazhohet të shmangë emërime me konflikt interesi “nëse është e mundur”. Por disa njerëz, shkruan “The Economist”, mund të argumentojnë se të pasurit e njerëzve të tillë në projekt mund ta lejojë Bankën të zgjidhë shumë probleme në disa mjedise politikisht te vështira, duke shmangur burokracinë për shkak të lidhjeve. Ndaj, kjo duket se u shërben si stimul menaxherëve kur rekrutojnë njerëz me lidhje të tilla. Por të paktën kësaj here, thotë revista, Banka mësoi si të pranojë gabimet e rënda, pas një beteje të gjatë vitet e fundit, nëse duheshin ndërprerë financimet kur dyshohet për korrupsion. Por do të ishte gjithashtu një hap tepër i dobishëm, sugjeron “The Economist”, që banka të fuqizonte panelin e saj të inspektimit për të hetuar edhe çështjet e korrupsionit që nuk janë nën mandatin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›