E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushërinjtë plagosin policin rrugor

 

TIRANE - Një efektiv i Policisë Rrugore mbeti i plagosur dje në kryeqytet ndërsa uniformat blu kanë vendosur në pranga dy persona që dyshohet se janë autorë të ngjarjes. Drejtoria e Policisë së kryeqytetit tha dje se ka arrestuar në kushtet e flagrancës, shtetasit Armand Allgjata, 22 vjeç, dhe Bashkim Allgjata, 35 vjeç, me lidhje fisnore mes tyre, që të dy lindur dhe banues në Domje. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë kryen arrestimin e të dyshuarve sepse dje në rrugën “Mine Peza”, ata kanë kundërshtuar me dhunë, gjatë ushtrimit të detyrës, një punonjës të Policisë Rrugore, duke i shkaktuar këtij të fundit disa dëmtime trupore. Pas arrestimit, dy kushërinjtë përballen me akuzën e kundërshtimit të punonjësit të policisë, kryer në bashkëpunim. Gjatë hetimeve për ngjarjen, policia ka arritur të provojë se plagosja e efektivit të rrugores ka ndodhur për shkak të detyrës së tij në ruajtje të rendit dhe qetësisë dhe në menaxhim të trafikut në rrugë. Pas hetimeve të para për rrethanat e ngjarjes, mësohet se dosja penale në ngarkim të dy kushërinjve është dërguar në Prokurorinë e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›