Ndryshimet që do të pësojë qendra e kryeqytetit nga ndërtimi i parkingjeve
Emanuela Sako
Qendra e kryeqytetit pritet të ndryshojë së shpejti fytyrën e saj. Fluksi i automjeteve që qëndrojnë të parkuara në dy korsi anësh trotuareve nuk do të jenë më pjesë e kryeqytet. Pak ditë më parë, qeveria vendosi ndërtimin e dy parkingjeve, e cila është pjesë zbatimit të një pjese të projektit Francez për qendrën e Tiranës. Pritet që Bashkia e Tiranës të fillojë ndërhyrjen në dy pjesët e caktuara të Tiranës. Sipas projektit, ndryshimet që do të pësojë qendra e kryeqytetit janë të mëdha dhe në favor të qytetarëve, të cilët do të kenë më tepër gjelbërim, më tepër vend parkimi dhe siguri për automjetet e tyre apo kohë të lirë. Specialistët kanë parashikuar që ndërtimi i parkingjeve të nëndheshme pranë ish-Parkut Rinia dhe stadiumit në sheshin Italia nuk do të dëmtojnë infrastrukturën ekzistuese. Parkimi nëntokësor në zonën e këtij parku është parashikuar në anën veriore të tij, ku s’ka asnjë pemë, në mënyrë që të mos pritet asnjë pemë ekzistuese.
Ndryshimi
Projekti për ndërtimin e parkingjeve është në bazë të masterplanit të qendrës së Tiranës, i cili është hartuar me konkurs ndërkombëtar nga studioja franceze “Architecture Studio” në vitin 2003 është miratuar nga Qeveria Shqiptare në vitin 2004. Projekti synon të ndryshojë kryeqytetin, duke e zhvendosur atë më parametrat e qyteteve europianë. Projekti synon të ruajë tradicionalen të ndërthurur me moderne. Por, njëkohësisht kërkon që ndërtimet e reja të jenë sa më funksionale për qytetarët. Të mirat që do të sjellë ky projekt, janë sepse qendra e Tiranës nuk do të ketë më makina të parkuara në të gjitha pjesët anësore të saj. Njëkohësisht nuk do të ketë më bllokim të trafikut, ku në ditë të veçanta shoferët e automjeteve i’u duhet mjaft kohë për të dalë nga qendra. Bizneset në këtë zonë do të jenë të privilegjuar, pasi do të kenë më tepër klientë, pasi qytetarët që kërkojnë të ulen në një kafe apo ata që kanë punë dhe bizneset afër, nuk dinë ku të parkojnë më parë makinën. Kështu, qyteti do të çlirohet nga parada e makinave luksoze apo të thjeshta që vërtiten rreth e rrotull disa herë për të gjetur një vend parkimi. Po kështu, makinat do të jenë nën kontrollin e rojeve dhe nuk do të ketë më rrezik për vjedhje apo dëmtim të makinave. Madje, ajo që është edhe më e rëndësishme është fakti se fasada e qytetit do të jetë pa një mori makinash dhe do të shtohet më tepër gjelbërimi.
Projekti
Në projektin e ri për kryeqytetin ishte parashikuar ngritja e 9 parkingjeve në zonat më të populluara, ndërkohë që qeveria lejoi ngritjen e vetëm dy parkingjeve, atë të Parkut “Rinia” dhe të sheshit “Italia”. Parkingu në parkun “Rinia” do të ndërtohet me disa kate nëntokë, ndërsa sipërfaqja e tij do të mbetet e gjelbër, ku do të ketë dhe shtim të pemëve. Për më tepër mendohet që të shtohet gjelbërimi dhe infrastruktura e domosdoshme publike mbi këtë park dhe parkingjet. Aktualisht Bashkia e Tiranës ka bërë publike disa detaje për ndërtimin e parkingjeve, pasi projekti përfundimtar do të jepet pas kryerjes së tenderit për firmën që do të dalë fituese në muajin nëntor. Kështu, sipas bashkisë dy parkingjet do të jenë në distancën 500 metra nga njëri-tjetri. Madje të 9-të parkingjet nëntokësorë që ishin parashikuar të ndërtoheshin do të ruanin këtë distancë nga njëri-tjetri. Brenda parkingut do të jenë të vendosur një numër mjaft i madh makinash, duke plotësuar nevojat e rezidentëve të kësaj zone, institucioneve dhe vizitorëve të qendrës. Sheshi ”Skënderbej” dhe disa pjesë të tjera që prekin qendrën e qytetit do të kthehen në zona këmbësorësh. Kështu, dy parkingjet e para nëntokësore në Tiranë që do të heqin rrethimin e makinave nga parku Rinia, nga sheshi “Nënë Tereza” dhe do të çlirojnë mjaft trafikun po edhe hapësirat e lëvizjes së këmbësorëve në zemrën e kryeqytetit.
Eduard Shalësi
“Jemi pikërisht në këtë hapësirë që e shikoni të rrethuar, ku do të ndërtohet parkingu nëntokësor. Është e rëndësishme të dihet se ndonëse parkingu do të ndërtohet me disa kate nëntokë, sipërfaqja e tij do të mbetet e gjelbër, madje do të jetë edhe me e sistemuar nga ç’e shihni sot. Brenda parkingut do të kemi të akomoduar një mumër makinash, duke plotësuar nevojat e rezidentëve të kësaj zone, institucioneve dhe vizitorëve të qendrës. Nuk do të lejohet më parkimi i automjeteve përreth parkut “Rinia” dhe në të dy anët e bulevardit, çka do të lehtësojë qarkullimin e makinave, do të lehtësojë ecjen e këmbësorëve, duke krijuar një mjedis më të shëndetshëm.
Ne do të donim të inkurajonim qytetarët e Tiranës të ndjekin me vëmendje zhvillimin e këtij projekti të rëndësishëm i cili do të jetë i dobishëm, do të vendosë një standard të ri jetese, do të ketë një impakt në trafik dhe në mjedis por do të jetë edhe estetikisht i pëlqyeshëm”
Forum
Muharrem Hado
Unë jam i mendimit që të bëhen parkingjet, por nuk duhet që të bëhet beton gjithë Tirana. E mira e kësaj pune është se nuk do të ketë më rrezik nga makinat kur lëvizim ne të moshuarit.
Xhuli Hazimi
Me gjithë këtë tmerr që është para parkut “Rinia”, ku nuk gjen asnjë vend për të parkuar një gjë duhet bërë. Unë jam e mendimit të ndërtohet sa më shpejt sepse të kesh punë në qendër nuk mbaron për 3 ditë.
Valentina Dilaveri
Nuk e di a duhet të bëhet apo jo, sepse nëse prishet ky park që është atëherë çfarë kuptimi ka. Por meqë thonë se nuk do ta prishin parkun, por duan vetëm të pakësojnë trafikun le të ndërtohet.
Artin Hoxha
Nuk jam dakord me ndërtimin e parkingjeve. E para se përreth 2 vjet do hamë tym dhe do shohim rrëmujë. E dyta, më duket sikur po e betonizojnë Tiranën dhe nuk po e gjelbërojnë.
Mimoza Kaja
Jam dakord dhe ta ndërtojnë sa më shpejt se nuk e duam rrëmujën dhe pluhurin e madh. Kur bëhet fjalë për ndërtim qytetarët i’u japin të drejtë pushtetarëve, por kur ata duhet të shkatërrojnë atëherë do i ndalojmë.
Zyra Dishnica
Makinat na kanë stresuar së tepërmi nëpër rrugë dhe ke frikë të kalosh në një kryqëzim apo në një vendparkim se niset papritur dje kur e sheh veten në ndonjë trotuar. Prandaj duam të ndërtohet, por vetëm të mos prishin stolat dhe pemët.
25 Gusht 2008