E Diel, 1 Nëntor 2026

Tashmë të gjitha regjistrohen



Nuk kisha ndër mend të bëhesha shkrimtare. Nuk zotëroja asgjë, me përjashtim të fantazisë, aftësi të rrallë për ironi, melankoli dhe një respekt të pazakontë ndaj fjalës. Fillova të shkruaja për t’i sqaruar vetes disa gjëra, krijova ca rregulla, sepse, nëse kuptohej ideja e së kaluarës, ajo mund të ndihmonte në konceptimin e së ardhmes. Shkruaj për të dëshmuar, dhe vështrimi im në tërësi nuk është si ai i zezakëve të tjerë. Libri për mua është një botë e re që ka ekzistuar, por që asnjëherë nuk është marrë parasysh. Kur shoh një maskë afrikane, në të njëjtën kohë shoh se sa e vjetër, primitive dhe e fuqishme është ajo, po ashtu edhe sa moderne e bashëkohore. Dëshiroj që librat e mi të zotërojnë veçori të artit prehistorik, që të zëvendësojnë ushqimin, të cilin na e ofron muzika. Gjithashtu, dëshiroj që zezakët ta zotërojnë përsëri atë kohë kur doli në dritë xhazi, sepse ata e shpikën atë muzikë, të lirë e të improvizuar. Sipas mendimit tim, edhe gjuha zotëron muzikën e saj.

Në jetë duhen pranuar improvizimet. Ky vlerësim me rëndësi botërore më obligon për të qenë më e vëmendshme për çdo fjalë që shpreh, sepse tashmë të gjitha regjistrohen. Por pikërisht për këtë gjë kërkoj të drejtën për të gabuar dhe, nëse gaboj, dëshiroj ta pranoj atë. Ndonëse të shkruarit nuk është punë e lehtë, përkundrazi e vështirë, unë në të gjej kuptimin e jetës dhe kënqasinë që asgjë tjetër nuk mund të ma ofrojë. Por, sidoqoftë, nuk kam zgjidhje tjetër, më vështirë e kam të mos shkruaj, sesa të shkruaj. Nuk kam dëshirë të braktis fakultetin dhe studentët e mi, sepse është e vetmja mënyrë për të mbajtur kontakt me realitetin, për të zbuluar gjëra të reja dhe për t’u pasuruar nga ana intelektuale. Për mua, të jesh profesor, do të thotë të mësosh pa ndërprerje dhe të rifreskosh idetë vetjake. Nëse do t’i isha nënshtruar ndarjes sipas racave, nuk do të isha shkrimtare.

Tradita është pjesë përbërëse e qenies sonë. Gjyshja ime ishte një tregimtare e vërtetë, kurse gjyshi lexonte vetëm Biblën, që e dinte përmendsh. Nëna ime ishte jashtëzakonisht energjike dhe mbahet mend se, kur gjente krimba në miell, protestonte te Ruzvelti. Ajo më ka përkrahur për të ndjekur studimet, në vend që të martohesha. Por desha të shtoj edhe faktin se në shtëpinë tonë fjala “skllav” përmendej si një refren dhe se kujtimet e skllavërisë ishin tepër të gjalla. Prandaj falënderoj Perëndinë që nëna ia arriti ditës kur çmimi “Nobel” t’i jepej një trashëgimtareje skllave. Befasimi im i parë ka ndodhur para dymbëdhjetë viteve, kur fotografia më doli në faqen e parë të “News week”. A e merrni dot me mend se ç’do të thoshte kjo? Unë, një zezake trashamane, me flokë të thinjur e me një bluzë ngjyrë rozë, të gjendesha në faqen e parë të së përjavshmes prestigjioze të të bardhëve? Kjo ishte dëshmi se shoqëria po evoluonte dhe se nuk duheshin humbur shpresat.

Sot e ndiej shpesh pafuqishmërinë e fjalës para forcës së madhe e masive të së keqes, të kriminalitetit e indiferentizmit. Ne e dimë se edhe njerëzit më të këqij janë të aftë të lexojnë librat më të mirë, të dëgjojnë muzikë të shkëlqyer, të shohin tablo të mrekullueshme. Por, në të njëjtën kohë, ata janë të gatshëm për të kryer aktet më të këqija ndaj bashëkqytetarëve. Përsa i përket punës sime, unë asnjëherë nuk do të pranoj që dikush të më imponojë direktiva, qofshin meshkuj apo femra, të bardhë a zezakë. Rritja e kriminalitetit midis të rinjve është fakt. Pothuajse të gjithë njerëzit në këtë vend mbajnë armë. Më lehtë është të sigurosh një armë sesa një libër, madje edhe të miturit nëpër shkolla mbajnë armë. Nuk e merrni dot me mend se sa është numri i gjyqeve midis grave e burrave, të cilët gjatë kohës së gjykimit, me marifet, fusin armë edhe në sallën e gjyqit. Gjatë procesit gjyqësor, ata qëllojnë njëri-tjetrin nën hundën e policisë. Pra, derisa të mos kryhet çarmatimi i përgjithshëm brenda vendit, ne do të jetojmë në gjendje shtetrrethimi.

Toni MORISON (Nobel)

Jam lindur në një familje të varfër punëtorësh me katër fëmijë. Babai punonte në objekte të ndryshme ndërtimi dhe bënte punë të ndryshme: lante automjetet ose merrej me saldim. Unë jetoja në një qytet të vogël, ku pak a shumë tërë njerëzit ishin të varfër. Këtu kishte shumë të ardhur, si polakë, çekë, italianë, meksikanë, zezakë e të bardhë. Barrierat shoqërore ekzistonin dhe njerëzit i mbanin brenda vetes, kurse fëmijët ndiqnin bashkërisht shkollën, sepse kishte vetëm një gjimnaz. Shoqja ime më e mirë ka qenë Rozmari Magazini, origjinën e së cilës e merrni me mend. Por në Loren nuk kishte geto të zezakëve. (Toni Morison lindi në vitin 1931, në shtetin Ohajo, afër Klivlendit.)
Në këtë qytet, pjesën më të madhe të kohës e kaloja në bibliotekë. Ajo ishte e varfër, prandaj arrita t’i lexoj të tërë librat që ndodheshin në raftet e saj: kishte aty edhe poezi të klasikëve anglezë dhe amerikanë.
Në atë kohë as që ëndërroja për letërsi, por dëshiroja të bëhesha balerinë. Kështu, fillova të ndjek baletin, por isha e detyruar të ndërprisja kursin, sepse nuk kishim të holla për të paguar orët e mësimit.

* * *
Të ishe grua, të ishe me ngjyrë dhe e varfër në një qytet industrial të Perëndimit të Mesëm, ishte një ndëshkim i vërtetë, por pikërisht kjo gjë më bëri shumë të përgjegjshme.
Gjithmonë e kam ditur se do të isha e detyruar të punoja, se do të martohesha dhe do të bëhesha nënë. Por këto unë nuk i konsideroja si barrë të rëndë.
Ngaqë isha një nxënëse e shkëlqyer në mësime, prindërit vendosën që të më “provonin” një vit në fakultet, “vetëm një vit”, që u pasua edhe me të tjera. Kështu fillova, por që të shkoja për studime dhe t’i vazhdoja ato, im atë u detyrua të bënte edhe një punë tjetër. Po ashtu edhe nëna qe e detyruar të punësohej, kur u nisa për në Uashington, në Harvard. (I vetmi universitet për zezakët në Amerikë.)
Më vonë, edhe unë kam dhënë gjuhë angleze në fakultet, u martova me një arkitekt nga Xhamajka dhe linda dy djem, që tashmë janë të rritur.

* * *
Nuk kisha ndër mend të bëhesha shkrimtare.
Nuk zotëroja asgjë, me përjashtim të fantazisë, aftësi të rrallë për ironi, melankoli dhe një respekt të pazakontë ndaj fjalës.
Nga martesa filloi të më merrej fryma, prandaj u divorcova dhe vetëm pas kësaj fillova të shkruaj për kënaqësinë time, fshehurazi, sikur kjo gjë të ishte diçka e turpshme. Ishte viti 1965, kohë konfuzioni dhe e papërshtatshme, kur u bë gjithashtu një periudhë e turbullt në evolucionin e marrëdhënieve midis racave. Fillova të shkruaja për t’i sqaruar vetes disa gjëra, krijova ca rregulla, sepse, nëse kuptohej ideja e së kaluarës, ajo mund të ndihmonte në konceptimin e së ardhmes. Prandaj fillova të shkruaj, siç thashë, për të krijuar rregullin, të bukurën, jetën në atë që më rrethonte e që ishte vetëm kaos, mjerim dhe vdekje. Historia e zezakëve në Amerikë është një tradhti dhe mashtrim i vërtetë, histori e deformuar dhe e konceptuar keq. Ajo fsheh pasuri, ngjyra, ngrohtësi, fuqi që gjithmonë mbahej e fshehur, sidomos përsa u përket grave. Prandaj shkruaj për të dëshmuar, dhe vështrimi im në tërësi nuk është si ai i zezakëve të tjerë. Libri për mua është një botë e re që ka ekzistuar, por që asnjëherë nuk është marrë parasysh. Kur shoh një maskë afrikane, në të njëjtën kohë shoh se sa e vjetër, primitive dhe e fuqishme është ajo, po ashtu edhe sa moderne e bashëkohore. Dëshiroj që librat e mi të zotërojnë veçori të artit prehistorik, që të zëvendësojnë ushqimin, të cilin na e ofron muzika. Gjithashtu, dëshiroj që zezakët ta zotërojnë përsëri atë kohë kur doli në dritë xhazi, sepse ata e shpikën atë muzikë, të lirë e të improvizuar. Sipas mendimit tim, edhe gjuha zotëron muzikën e saj, të vetën.
Sikur të shkruaja për të bardhët, ashtu siç shprehen ata për zezakët, pra me stereotipe të njëjta, vetëm sa do të tregoja dobësinë time. Nuk dua as të mbivlerësoj zezakët dhe as të nënvlerësoj të bardhët, sepse nuk më pëlqen të përdor asnjë lloj strategjie të dominimit racor. Qindra vjet me radhë zezakët u janë drejtuar të bardhëve me fjalët: “Nuk është e rëndësishme raca, rëndësi ka njeriu! Zezakun shikojeni si qenie njerëzore, gjykojeni atë mbi bazën e karakterit dhe të punës që bën.” Por të bardhët janë përgjigjur: “Vetëm raca është e rëndësishme!” Prandaj edhe sot dallimet racore, që kanë ekzistuar me shekuj, realisht janë të pranishme dhe interesimi vetëm me fjalë nga ana e njerëzve përparimtarë, nuk do të bëjë që ato të zhduken me të vërtetë.
Në Amerikë jeta politike, kulturore dhe ekonomike është mbështetur në konstruksionin e identitetit të racës së bardhë. Ndërkohë që zezakët i detyron e keqja për ta parë gjithmonë veten viktimë e për të jetuar në këtë gjendje. Gratë, në përgjithësi, janë të prirura që t’i nënshtrohen situatës. Me fjalë të tjera, identiteti amerikan fillon me racën e bardhë dhe gjininë mashkullore, pra, me mashkullin. Sido që të jetë forca, rangu apo statusi i tij ekonomik, mashkulli gjithmonë mbetet mashkull dhe i jep përparësi vetes ndaj gruas. Nëse do të përpiqeni që prej tij të krijoni një qenie njerëzore, ajo do të jetë një përpjekje e vështirë.

* * *
Në jetë duhen pranuar improvizimet.
Ky vlerësim me rëndësi botërore më obligon për të qenë më e vëmendshme për çdo fjalë që shpreh, sepse tashmë të gjitha regjistrohen. Por pikërisht për këtë gjë kërkoj të drejtën për të gabuar dhe, nëse gaboj, dëshiroj ta pranoj atë.
Ndonëse të shkruarit nuk është punë e lehtë, përkundrazi e vështirë, unë në të gjej kuptimin e jetës dhe kënqasinë që asgjë tjetër nuk mund të ma ofrojë. Por, sidoqoftë, nuk kam zgjidhje tjetër, më vështirë e kam të mos shkruaj, sesa të shkruaj.
Nuk kam dëshirë të braktis fakultetin dhe studentët e mi, sepse është e vetmja mënyrë për të mbajtur kontakt me realitetin, për të zbuluar gjëra të reja dhe për t’u pasuruar nga ana intelektuale. Për mua, të jesh profesor, do të thotë të mësosh pa ndërprerje dhe të rifreskosh idetë vetjake.
Tradita është pjesë përbërëse e qenies sonë. Gjyshja ime ishte një tregimtare e vërtetë, kurse gjyshi lexonte vetëm Biblën, që e dinte përmendsh. Nëna ime ishte jashtëzakonisht energjike dhe mbahet mend se, kur gjente krimba në miell, protestonte te Ruzvelti. Ajo më ka përkrahur për të ndjekur studimet, në vend që të martohesha. Por desha të shtoj edhe faktin se në shtëpinë tonë fjala “skllav” përmendej si një refren dhe se kujtimet e skllavërisë ishin tepër të gjalla. Prandaj falënderoj Perëndinë që nënën e kam ende gjallë dhe që ia arriti ditës kur çmimi “Nobel” t’i jepej një trashëgimtareje skllave. Befasimi im i parë ka ndodhur para dymbëdhjetë viteve, kur fotografia më doli në faqen e parë të “News week”. A e merrni dot me mend se ç’do të thoshte kjo? Unë, një zezake trashamane, me flokë të thinjur e me një bluzë ngjyrë rozë, të gjendesha në faqen e parë të së përjavshmes prestigjioze të të bardhëve? Kjo është dëshmi se shoqëria po evoluon dhe se nuk duhen humbur shpresat.

* * *
Sot, shpesh herë e ndiej pafuqishmërinë e fjalës para forcës së madhe e masive të së keqes, të kriminalitetit dhe indiferentizmit. Ne e dimë se edhe njerëzit më të këqij janë të aftë të lexojnë librat më të mirë, të dëgjojnë muzikë të shkëlqyer, të shohin tablo të mrekullueshme. Por, në të njëjtën kohë, ata janë të gatshëm për të kryer aktet më të këqija ndaj bashëkqytetarëve. Megjithatë, fjala është e domosdoshme dhe kjo është e vetmja gjë që disponojmë.
Mënyra më e mirë për të shmangur diskriminimin është që shprehjet tallëse ta humbin rëndësinë e tyre dhe që të minimizohen në aspektin intelektual. Prandaj asnjëherë nuk duhet të tregohemi të lëkundur që, publikisht dhe në çdo rast, të shprehim mendimin tonë në raste të tilla.
Përsa i përket punës sime, unë asnjëherë nuk do të pranoj që dikush të më imponojë direktiva, qofshin meshkuj apo femra, të bardhë apo zezakë. Nëse do t’i isha nënshtruar ndarjes sipas racave, nuk do të isha shkrimtare. Rritja e kriminalitetit midis të rinjve është fakt. Shkak i tij, krahas varfërisë, është se pothuajse të gjithë njerëzit në këtë vend mbajnë armë. Më lehtë është të sigurosh një armë sesa një libër, madje edhe të miturit nëpër shkolla mbajnë armë. Nuk e merrni dot me mend se sa është numri i gjyqeve midis grave e burrave, të cilët gjatë kohës së gjykimit, me marifet, fusin armë edhe në sallën e gjyqit. Gjatë procesit gjyqësor, ata qëllojnë njëri-tjetrin nën hundën e policisë. Pra, derisa të mos kryhet çarmatimi i përgjithshëm brenda vendit, ne do të jetojmë në gjendje shtetrrethimi.

Përktheu Nikolla Sudar

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›