Tekstet shkollore, libraritë në pritje të titujve që mungojnë
Vazhdojnë ende shpërndarjet e librave shkollor nga shtëpitë botuese. Aktualisht, kanë ngelur rreth tre shtëpi botuese që nuk i kanë shpërndarë të gjitha librat në libraritë. Ndërsa tekstet që ende nuk kanë dalë në treg janë lëndët anglisht dhe frëngjisht për shkollat e mesme si dhe disa tituj librash për klasat fillore. Libraritë në pritje të rreth 15 titujve të librave që mungojnë, po vazhdojnë shitjen e teksteve ekzistues. Pothuajse të gjithë nxënësit e kryeqytetit janë pajisur me librat e tyre shkollor. Çdo ditë në libraritë e Tiranës sheh prindër dhe nxënës në radhë, që presin për të blerë librat, dhe pse pohojnë që nuk i kanë marrë të gjitha. Ndërkohë që libraritë i bëjnë thirrje të gjithë prindërve që të paraqiten për të blerë librat, për të evituar radhët e gjata që mund të krijohen në ditët e para të muajit shtator kur të gjithë kthehen nga pushimet. Ministria e Arsimit ka deklaruar se këtë vit, nuk do të ketë radhë në librari për të gjithë ata nxënës dhe prindër të cilët do t’i tërheqin tekstet mësimore në kohë. Për këtë, MASH-i bën të ditur se në sajë të masave të reja të marra nga kjo ministri këtë vit, katër javë përpara fillimit të vitit shkollor, 36 librari të Tiranës janë furnizuar me 405 tituj tekstesh (nga 426 tituj që janë gjithsej) nga 30 shtëpi botuese. Që nxënësit dhe prindërit të mos rendin më nga njëra librari në tjetrën, sivjet, çdo nxënës do t’i gjejë të gjitha tekstet e klasës së vet në librarinë pranë shkollës ku do të studiojë. Procesi i blerjes së librave shkollorë sipas MASH-it, do të përfundojë brenda muajit gusht dhe në fillim të shatorit të gjithë nxënësit do të jenë pajisur me tekstet përkatës.
25 Gusht 2008