Vlorë, 3 italianë akuza për keqtrajtim Policisë Shqiptare
VLORE - Tre shtetas italian pretendojnë se janë dhunuar nga policia e Vlorës, pasi sipas tyre, ata nuk kishin pranuar të paguanin para. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë por të huajt kvendosjën ta bënin publike atë vetëm dje. Disa shtetas italianë që kishin zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e verës, të shoqëruar nga disa shqiptarë kanë denoncuar në Komisariatin e Policisë së Vlorës se janë rrahur nga punonjës të Portit dhe të Policisë. Gjashtë shtetasit ndër të cilët, tre shqiptarë dhe tre italianë janë përpjekur të nisen drejt Italisë me traget dy ditë më parë. Pasi nuk kanë mundur të hipin në atë target për shkak të dyndjes që ka pasur kanë pritur një tjetër traget të radhës. Me të njëjtën biletë vajtje - ardhje të prenotuar 6 muaj më parë kanë tentuar të hipin në tragetin e radhës, por pikërisht aty ka nisur dhe konfrontimi me policinë ku sipas pretendimit 3 prej tyre janë keqtrajtuar. “Kemi ardhur këtu në polici për të denoncuar sepse na kanë rrahur, na kanë thënë se nëse nuk jepni para të tjera edhe për biletën për t’u kthyer në Itali. Një nga policët e ka rrahur mikun tim, e ka kapur nga pas, i vuri krahun në qafë, e goditi në bark dhe në kurriz”, - deklaroi për mediat njëri prej ankuesve të keqtrajtuar. Turistët italianë, dy djem dhe një vajzë deklaruan se policia u kishte kërkuar 160 euro që t’i lejonte më pas të merrnin një nga tragetet që nisej për në Itali. “I kemi bërë foto policit, i cili ka keqtrajtuar mikun tim dhe që na ka kërkuar dhe 50 euro për të na lënë të hipnim në anijen që duhej të na çonte në Itali. Konflikti plasi sepse polici na kërkoi para dhe se kërkuan që të ribënim biletën. Ne kemi bërë pronotimin në Itali 6 muaj më parë vajtje-ardhje. Nuk kemi pse të blejmë biletat sërish. Do ta bëjmë denoncimin dhe në Itali. Kemi informuar ambasadën italiane këtu në Shqipëri për gjithçka”, tha njëri prej turistëve italianë. Por, ndryshe nga pretendimi i këtyre dy shtetasve, policia e Vlorës jep versionin e saj. Ajo deklaron se asnjë person nuk është dhunuar nga forcat blu të kësaj drejtorie, ndërsa bën me dije se dy italianët kishin pretenduar të hynin me forcë në portin e Vlorës. Policia shtoi se bileta e tyre ishte e një dite më parë, ç’ka tregon sipas tyre se ata kanë shkelur rregullin.
25 Gusht 2008