E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Balerinët e sotshëm ofrojnë më pak shpirt"

 

ALMA MILE

Tani shikimin nuk e ka aq të qartë sa në të ri. Kur ishte 25 vjeç arrinte të dallonte shkëlqimin e syve blu të balerinës teksa kërcente "Liqenin e Mjelmave". Enrie Sumerieu Lartigue i ka kushtuar gjithë jetën fotografisë. Është fokusuar vetëm tek baleti. Kur në Paris erdhi për herë të parë "Bolshoi" teatër, u magjeps nga çifti rus Ecaterina Maximova dhe Vladimir Vassiliev dhe i ndoqi kudo në karrierën e tyre. Por jo vetëm ata, por edhe balerinë të tjerë si Carla Fraci, apo Tony Candeloro, për të cilin ka ardhur edhe në Tiranë. Fotografi tregon se si nisi të fotografonte e ç'gjen të veçantë tek balerinët.
Përse zgjodhët të fotografonit vetëm balerinë?
Ishin balerinët që më zgjodhën mua. Ishte viti 1972. Deri atëherë kisha parë shumë pak balet, sepse jetoja në provincë, në Francë.  Në vitet '70 teatri "Bolshoi" zhvilloi një sezon shfaqjesh në Paris, në opera "Garnier" dhe më pas në Pallatin e Sportit. Shkova vetëm një herë atje dhe ndërsa prisja të blija një biletë një zonjë më thotë se duhet të vija më shpesh aty. Në atë kohë të shihje rusët në Paris nuk ishte diçka e zakonshme. Dhe bëra ashtu si më tha ajo. U marrosa pas Maximovës dhe Vassilievit dhe pak nga pak nisa të bëj fotografi. Ishin fotografitë e mia të para dhe nuk ishin edhe aq të mira. Bleva të gjitha mjetet që më duheshin, aparate dhe ende sot vazhdoj të mësoj.
Balerinët tuaj të preferuar janë Maximova dhe Vassiliev, ç'ju tërhoqi tek ata?
U emocionova shumë nga ky çift balerinësh. Më pëlqente gjithçka e tyre, këmbët, fytyra, vështrimi, buzëqeshja, gjithçka. Ndoshta nuk e kuptova që në fillim, por më vonë u binda, që për të kërcyer duhet të ishe çift, duhet të kishte shumë bashkëveprim, sepse ka shumë ndjesi që kalojnë nga njëri tek tjetri. Ishte hera e parë që shikoja kaq shumë kërcim dhe bëja gjithçka që mundja, shkoja në të gjitha provat, për të ndenjur sa më shumë me ta dhe nuk dija asnjë fjalë në rusisht. Më dukeshin të bukur, më jepnin shumë emocion, por nuk di ta shpjegoj në mënyrë logjike, ndihet më shumë me zemër. Aso kohe kishte disa lëvizje që nuk përdoreshin në perëndim dhe të shihje hapa të rinj, një mënyrë tjetër të kërcyeri, ishte gjithashtu interesante. Krahasuar me sot, balerinët ishin ndryshe aso kohe. Udhëtojnë shumë dhe kanë gjithçka që duan. Më kujtohet atëherë kur bëja foto, më falënderonin pafund. Ishte koha kur balerinët rusë nuk mund të dilnin nga Rusia dhe të dilnin në fotografi e nëpër revistat Perëndimore ishte një ngjarje shumë e madhe për ta.
Mes të tjerëve keni fotografuar edhe Nureyevin…
Nuk më pëlqente fare Nureyev dhe nuk e kam fotografuar asnjëherë në skenë. (Ndoshta e kam harruar). Njerëzit flasin shumë për të,  dhe kurrë për Vassilievin, shumë thonë që ka sjellë modernizëm në kërcim, etj., etj., por mua nuk më jepte emocion. E vetmja shfaqje në të cilën ai më pëlqen është "Piero Luner" dhe është një vepër në të cilën ai u ka pëlqyer të gjithëve. Është pjesë e një koreografi amerikan, ku luan rol të madh skenografia. Nuk ka shumë kërcim, por më së shumti plasticitet dhe nuk zgjat një jetë.
Thatë se balerinët e sotëm kanë ndryshuar, në ç'drejtim?
Mund ta them?? Më duket se shpirti u është larguar. Kjo lidhur me punën që bëjnë, artin... Por ndoshta kam ndryshuar unë dhe nuk mrekullohem kur shoh balerinët. Më pëlqen t'i ndjek, por rusët ishin tjetër gjë. Ndoshta sepse isha 25-26 vjeç… Kur bëja foto atëherë doja të shkoja nëpër shfaqje me doemos, ndërsa tani nuk shkoj vetëm në opera "Garnier". Atëherë ishte një moment historik, sepse rusët erdhëm për të "pushtuar" Evropën. Më kujtohet kur hyja në opera, e gjithë salla ishte e mbushur plot dhe publiku ishte shumë i kënaqur që shikonte diçka ndryshe. Flisnin pa fund. Dhe kjo ndodhte çdo mbrëmje. Kishte elektricitet në ajër. Ishte atmosferë e mrekullueshme.
Një ndër balerinët tuaj të preferuar është dhe Tony Candeloro, si jeni njohur?
Tonin e kam takuar në shtëpinë e Irene Lidova, gruaja e fotografit të famshëm Serge Lido. Shumë i gjallë, ka gjithnjë diçka për të treguar, për shfaqjet, baletin, mësimin dhe xhiron vazhdimisht rreth vetes. E kam fotografuar 20 vjet më parë në shfaqjet e tij më të suksesshme. Në Zyrih i kam bërë një foto historike, një portret në të vetmin moment që u ul mbi një divan në studion e tij.
Dhe tani ndodheni në Tiranë për të ndjekur pikërisht atë…
Edhe këtu më duket se ka bërë një punë shumë të mirë. Nuk mund ta them përse, por më pëlqeu. T'i shtosh kësaj muzike lëvizjet, është disi e çuditshme, por së bashku me mjeshtrin Ciko, kanë bërë një punë më shumë se të mirë. Të gjithë dukeshin të kënaqur nga ky bashkëpunim.
Sa e vështirë është të ndjekësh pas balerinët?
Të vështirë si të gjithë ne, por ata ca më shumë. Por të japin shumë emocion dhe kënaqësi gjithashtu. Janë si ne, bëhen nervozë, na duhet t'i presim, t'i kuptojmë. Janë shumë të ngarkuar me punën, kanë problemet e tyre, por kur flasin gjuhën tënde mundet të të shpjegohen. Me rusët që nuk kuptonim gjuhën nuk ishte edhe aq e thjeshtë.

Krijimi i suksesshëm

Historia e krijimit të botës u ngjit suksesshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, përmes një oratori të inskenuar. "Krijimi" me muzikë të Joseph Haydn, mbështetur në "Parajsën e humbur" të John Milton, me koreografi, skenografi dhe kostume të artistit italian Tonny Candeloro. Oratorio u interpretua nga këngëtarët lirikë Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Emiljana Palushaj, Taehyun Jun dhe Cosimo Panozzo. Në shoqërinë e trupës së baletit, me solistë Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, korit dhe Orkestrës Simfonike të T.K.O.B, nën drejtimin e mjeshtrit Zhani Ciko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›