Curri kërcënon Ronaldon: Nuk fiton dot as në Tiranë
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Debatik Curri është shprehur optimist se Shqipëria do ta ndalë Portugalinë në takimin e 6 qershorit që do të zhvillohet në “Qemal Stafa”, ndeshje kjo e vlefshme për eliminatorët e “Botërorit 2010”. Kjo ndeshje padyshim se është shumë e vështirë për kuqezinjtë, sepse portugezët jo vetëm që në radhët e veta kanë lojtarë të mëdhenj si Kristiano Ronaldo, por fitorja në këtë ballafaqim i duhet më shumë se kurrë Portugalisë, për ta vazhduar rrugën drejt “Botërorit 2010”. Derisa tek ekipi shqiptar mundësitë për kualifikim të mundshëm në “Afrika 2010” janë shuar pas rezultateve të dobëta që kanë treguar në ndeshjet e fundit, megjithatë kuqezinjtë në këtë cikël të garave synojnë të kenë plasman sa më të mirë në renditjen tabelore. Shqipëria në takimin e parë të zhvilluar në Braga kishte bërë mrekulli duke i marrë një pikë Portugalisë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Debatik Curri, përballjen ndaj Portugalisë e ka vlerësuar të vështirë, por sipas tij, Portugalia nuk është mision i pamundur. Sipas tij, ekipi shqiptar ndaj skuadrave të mëdha di të tregojë lojë të fortë dhe se Ronaldo do të ndalet ashtu siç u ndal në Braga. “Përballja me Portugalinë është sfidë shumë e vështirë. Ne duhet ta japim maksimumin që të dalim me rezultat të favorshëm. Sigurisht se do të kemi përkrahje të madhe nga publiku ynë. Shqipëria është e rrezikshme për skuadrat e mëdha. Ronaldon e kemi ndalur në Portugali, do ta ndalim edhe në ‘Qemal Stafa”, ka thënë Curri. Largimi i Ari Hanit tregon punën që ka bërë”. Ndërkaq, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Debatik Curri, lidhur me largimin e trajnerit Arie Han, ka thënë se largimi i tij tregon punën që ka bërë holandezi. “Mendoj se largimi i Arie Haanit ka dëshmuar punën që ka bërë ai në ekipin shqiptar”, ka thënë Curri. Han pak ditë më parë dha dorëheqje nga posti i trajnerit të kombëtares shqiptare, pas rezultateve të dobëta që kishte ekipi shqiptar në ndeshjet e fundit të vlefshme për eliminatorët e “Botërorit 2010”. Ndërkaq lidhur me angazhimin e trajnerit të ri në ekipin kuqezi, Curri pohon se nuk është e rëndësishme se a do të jetë trajner shqiptar a po i huaj, por sipas tij, në krye të ekipit tonë duhet të vijë një trajner që do të sillte rezultate të mira.